Shtetësi për shqiptarët kudo ndodhen, Berisha lë jashtë vetëm Kosovën
Shpërthim nacionalist i kryeministrit në largim: Kush nuk do votën e shqiptarëve, është shqiptar i denatyruar.
Berisha premton se do ketë vendim që është arvanitasit dhe
arbëreshët të marrin shtetësinë. Akuza ndaj Greqisë: 10 përqind e
popullsisë janë shqiptare dhe nuk ka asnjë emision shqip në media
Kryeministri në detyrë, Sali Berisha, po bën realitet një projekt të
tijin, atë që çdo shqiptar në mbarë botën të marrë nënshtetësinë, përveç
shtetasve të Kosovës, të cilët janë në proces me Bashkimin Europian për
liberalizimin e vizave.
Berisha madje tha se mund t’u jepet shtetësia edhe arvanitasve dhe arbëreshëve, por akoma nuk është marrë një vendim i tillë.
Berisha tha se ata që kanë frikë nga vota e shqiptarëve janë albanofobë.
“Dua të kërkoj ndjesë për vonimin, pasi bashkëkombësit më kanë
kërkuar në mënyrë të përsëritur. Por e bllokova këtë që të mos ketë
asnjë interferencë me zgjedhjet. Doja që të ishte një proces themelor.
Për zgjedhjet e ardhshme, ata që frikë nga vota e tyre, ekziston
rregulli i proporcionimit. Si të bien dakord forcat politike. Frika nga
vota e shqiptarëve është forma më e egër e albanofobisë. Ai që ka frikë
nga vota e qytetarëve me origjinë shqiptare, ai është albanofob, është
shqiptar i denatyruar,” tha Berisha duke shtuar se “Silvio Berluskoni humbi zgjedhjet për shkak të votave të italianëve në Argjentinë”.
“Është një vendim, i cili u bllokua për më shumë se katër muaj për
shkak të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Ky vendim ka të bëjë
me njohjen e shtetësisë shqiptare për të gjithë shqiptarët, me
përjashtim të shtetasve të Kosovës, pasi janë shtetas të një shteti të
pavarur. Kjo nuk mund të bëhet pa marrëveshje mes dy qeverive. Kosova
tani është në një proces shumë të shëndetshëm pas firmosjes së
marrëveshjeve me Serbinë, marrëveshje historike për rajonin në tërësi.
Ky vendim e shtrin efektin e tij për të gjithë shqiptarët që jetojnë në
hapësirën e Shengenit, në hapësirën me marrëdhënie vizash të njëjta me
zonën e Shengenit. Pra, me këtë akt, Shqipëria është vendi i fundit që u
ofron bashkëkombësve të vet, atë që të tjerët ia kanë ofruar vite e
vite më parë në rajon. Ky akt nuk duhet të konsiderohet nga askush si
një akt tjetër veçse në interesin më të mirë të shqiptarëve, të paqes
dhe stabilitetit,” tha Berisha.
Më pas kryeministri tha se e dinte se kosovarët do lëndohen nga ky vendim.
“E vërteta është se ligji i këtyre, apo ligji ekzistues parashikon
marrjen e vetvetishme të nënshtetësisë, por nuk u përcaktuan asnjëherë
procedurat. Të drejtën për aplikim për shtetësi shqiptare do e kenë të
gjithë shqiptarët me përjashtim të atyre me banim në Republikën e
Kosovës.
E di që qytetarët e Kosovës do lëndohen nga ky vendim, por u
kërkoj mirëkuptimin e tyre, pasi është interesi i tyre jetik që
problemin e vizave me BE ta zgjidhin në respekt të plotë të
udhërrëfyesit që Brukseli u ka dorëzuar autoriteteve të Kosovës për
liberalizimin e vizave,” tha Berisha.
“Jam i bindur se ky vendim do i shërbejë forcimit të mirëkuptimit,
të bashkëpunimit me vendet fqinje. Jam i bindur se ky vendim është i
drejtë dhe tepër i vonuar.
Këtë vendim e kam dekretuar që në vitin 1992. Dekreti presidencial
në atë kohë përfshinte edhe Kosovën. Ata që bërtasin se do na zbrazen
trojet, le të marrin dhe të shohin se sa shtetësi u kërkuan pas
dekretimit në vitin 1992.
Ministria e Jashtme, Ministria e Brendshme, duhet të marrin të
gjitha masat që të instalojnë me datën 1 gusht, në të gjitha pikat e
parashikuara në këtë vendim, shërbimin për aplikimin e qytetarëve me
origjinë shqiptare për fitimin e shtetësisë shqiptare,” tha Berisha.
Kryeministri premtoi se do ketë një vendim për marrje nënshtetësie edhe nga arvanitasit dhe arbëreshët.
“Nuk marrin përgjigje nga ky vendim arvanitasit dhe arbëreshët,
por ky është një proces në vazhdim. Nuk mund t’u mohohet atyre, por tani
për tani vendimi parashikon këto.
Ata kanë shekuj që japin një kontribut të madh historik në këto
vende mike. Shqipëria, mendoj unë, duhet të përpiqet që të mbështesë
ato. Apo diaspora në Turqi, që është dy herë më e madhe se popullsia në
Shqipëri. Ne duhet t’i mbështesim që të ruajnë gjuhën, kulturën,
identitetin e tyre,” tha Berisha.
“Në Greqi 10 përqind e popullsisë janë shqiptarë dhe mediat greke nuk kanë edhe asnjë emision në shqip,”
tha Berisha duke shtuar se kur drejtonim Këshillin e Europës, ai u
përpoq shumë që në radiot turke të kishte emisione për shqiptarët.
“Por kjo nuk ndodhi. Kur një futbollist tha se jam shqiptar, pati një valë të pandershme kundër tij,” tha Berisha./ep
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.