Do apo s’do Basha, zgjedhjet vendore janë një test për të

Zgjedhjet e pjesshme vendore janë të pashmangshme, po aq sa i pashmangshëm është edhe fakti që do apo nuk do Lulzim Basha ato janë një test për të, që prej ditësh i ka shpallur luftë “trekëndëshit të së keqes”, që sipas tij janë Rama, Berisha edhe Meta.

Nëse zgjedhjet janë mirëpritur nga socialistët, madje duke i cilësuar ato edhe si të vonuara, nga PD-ja zyrtare publikisht ka pllakosur heshtja, por nën petkun e kësaj heshtjeje Lulzim Basha dhe mbështetësit e tij po mendojnë e diskutojnë skenarin më të mirë të mundshëm përballë këtij testi.

Kontakte të Gazetës Shqip në dijeni të këtyre diskutimeve, kur pyeten nëse pjesë e skenarit është edhe bojkoti i zgjedhjeve të pjesshme vendore, as e pohojnë dhe as e mohojnë këtë fakt. Ndryshe nga 2019-ta, bojkoti në këtë rast nuk synon t’i shmanget përballjes me Partinë Socialiste dhe Edi Ramës, por Sali Berishës dhe fraksionit të tij.

Bojkoti në këtë rast do të argumentohej me faktin se PD nuk i njeh zgjedhjet e 30 qershorit 2019 dhe për rrjedhojë ato nuk duhet të jenë të pjesshme, por në mbarë vendin. Bojkoti do të shihej gjithashtu si mekanizëm shpëtimi nga një disfatë e mundshme përballë këtij skenari, por ai do të binte ndesh me retorikën e këtyre muajve të Lulzim Bashës si “proamerikan e properëndimor”, sepse për amerikanët dhe europianët, bojkoti në 2022 është po aq i papranueshëm sa bojkoti i 2019-s, që ata e dënuan me deklarata.

Prandaj, kjo mundësi edhe sipas burimeve të Gazetës Shqip ka pak gjasa që të konsumohet. Për këtë qëllim, Lulzim Basha dhe mbështetësit e tij po kërkojnë një rrugë tjetër, që njëkohësisht do t’i fuste në zgjedhje si Parti Demokratike, por që do t’u garantonte një rezultat të mjaftueshëm sa për të ngritur alibinë në rast humbjeje se Sali Berisha dhe përçarja e nisur prej tij janë faktorët e kësaj humbjeje.

Gjithsesi, paralelisht me hartimin e strategjisë politike për zgjedhjet e pjesshme vendore, Partia Demokratike zyrtare ka nisur edhe betejën ligjore për të penguar regjistrimin e Sali Berishës në këto zgjedhje. Ligjërisht, Berisha nuk mund të regjistrohet me siglën e PD-së, as si fraksion i saj.

Por, nga deklaratat që kanë dhënë së fundmi aleatët në letër të Lulzim Bashës, si kreu i PAA-së, Agron Duka dhe ai i LZHK-së, Dashamir Shehi kuptohet se Berisha është në bisedime për të bashkëpunuar me ta për këto zgjedhjeve. Si? Njëra formulë mund të jetë që kandidatët e propozuar nga Berisha dhe mbështetur nga Komisioni i Rithemelimit të PD-së të regjistrohen nën siglën e partive të tjera në zgjedhje dhe më pas në fushatë, votuesit e Partisë Demokratike të ftoheshin për t’i zgjedhur.

Në këtë skenar, Partia Demokratike zyrtare e Lulzim Bashës do ta ketë të pamundur që në këto zgjedhje të fitojë ndonjë nga gjashtë bashkitë ku do të mbahen, përfshirë këtu Durrësin dhe Shkodrën. Në Shkodër, Voltana Ademi u shfaq në takimin e fundit të Berishës me bazën në këtë qytet dhe ajo mund të jetë një prej emrave që Berisha të zgjedhë për ta kandiduar me siglën e një partie tjetër, por duke i ofruar mbështetjen e votuesve të PD-së.

Në Durrës, Basha do të duhet ta fitojë qytetin vetëm me kontributin e Ferdinand Xhaferit dhe ndoshta Grida Dumës në fushatë. Edi Paloka dhe Oerd Bylykbashi, dy emra të tjerë me peshë në elektorat në këtë qytet i kanë dalë kundër. Nëse këtyre do t’u shtohej edhe Agron Duka, atëherë edhe Durrësi mund të konsiderohet i humbur për Bashën ende pa nisur gara.

Vora njihej si bastion i PD-së deri para zgjedhjeve të 25 prillit. Në këto zgjedhje për herë të parë fitoi Partia Socialiste. Me këtë rezultat dhe përçarjen e PD-së, kjo bashki me gjasë do t’u shkojë socialistëve, ashtu edhe si Rrogozhina dhe më poshtë Lushnja.

E vetmja bashki ku Basha duket se Basha i ka gjërat më në vijë, duket ajo e Dibrës. Ai i ka tre deputetët e këtij qarku me vete, që nga Xhelal Mziu, te Dhurata Çupi dhe Kreshnik Çollaku. Testimi do të jetë nëse bashkë me tre deputetët ka ende elektoratin e tyre.

Prandaj, zgjedhjet e pjesshme vendore janë një dhuratë e Ilir Metës për Sali Berishën dhe do apo nuk do Lulzim Basha dhe mbështetësit e tij, ato janë një test i pashmanshëm për të dhe më shumë se kureshtja e vëmendja më e madhe pritet që të jetë se kush do të fitojë në këto bashki, por a është Lulzim Basha kryetari i opozitës, apo jo!/ Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT