Konflikti i Erodganit me KMSH/ Flet hoxha: Gyleni, organizatë okulte, nuk mund të marrë peng myslimanët

Hoxhë Justinian Topulli ka folur në studion e Breaking në lidhje me përplasjet forta të presidentit turk Rexhep Taip Erodogan me Komunitetin Mysliman Shqiptar që u reflektuan në vizitën e fundit që u shmangën nga pjesëmarrja e inaugurimit të xhamisë së Ethem Beut në Tiranë.
Topulli theksoi se shkaku i këtij konflikti ka ardhur për faktin se në kryesinë e Komunitetit ka përfaqësues që janë pjesëtarë të Gylenistëve.
“Të jesh gylenist nuk është krim, por ato e mohojnë se janë. Janë ndërprerë marrëdhëniet zyrtare me komunitetin mysliman, kanë thënë se nuk rrimë me ju, s’e keni lidhje me Gylenin. Përfaqësinë zyrtarë bëhet fjalë, të Komuniteti Mysliman, janë de fakto dhe nga ana tjetër ata thonë se nuk i njohim e nuk i konsiderojmë. Prandaj Komuniteti Mysliman nuk reagoi, unë bëhej habi se pse nuk kanë reaguar, por duke ditur armiqësinë që kanë ata kanë heshtur, pra gjithçka dihej nga ne besimtarët që pritej të ndodhte. Duhet të dimë shkaqet se pse kemi ardhur ne në këtë pikë”, tha Topulli.
Ai theksoi se Komuniteti nuk duhet të jetë i mbyllur dhe peng i gylenistëve dhe se duhet të hapet zgjedhjet për myslimanët.
“Komuniteti mysliman t’i përfshijë besimtarët, të zgjidhen njerëzit e duhur nga xhemati siç e themi ne, të jetë gjithëpërfshirës dhe jemi ne ata që e zgjedhim dhe i zgjidhim ato. Ne nuk i pranojmë se janë organizatë okulte, e mbyllur, hermetike. Në rastin e Shqipërisë që na intereson ata nuk mund të marrin peng kryesinë e komunitetit Mysliman. Duhet të ketë demokraci e jo ta mbajnë peng të ideologjisë së tyre. Nuk mund të penalizohet i gjithë komuniteti”, theksoi Topulli.
Topulli ka pasur edhe një status në rrjetet sociale në lidhje me këtë konflikt të fortë mes Komunitetit Mysliman dhe zyrtarëve të lartë turq, duke theksuar se “Sigurisht, që gjithë kjo situatë dhe kjo përballje mund të ishte shmangur, madje vite më parë, nëse do të kishte pasur sadopak mirëkuptim dhe reflektim nga krerët e KMSH-së, por me sa duket njerëz që janë ndotur me të gjitha mëkatet e mësipërme, e kanë tepër të vështirë të pastrohen prej tyre, kështu që nuk iu kemi asnjë borxh, për atë që ndodh sot ndaj tyre”.
Statusi i plotë në Facebook
Kemi shkruar dhe folur me dhjetëra herë për çështjen e drejtimit dhe përfaqësimit në KMSH, për gjithpërfshirjen që duhet të ketë, për ilegjitimitetin statusor e moral dhe dinjitetin e munguar, për injorimin që iu bëhet zërave këshillues e kritikë, për hermetizmin sektar e përjashtimin e të tjerëve, për keqpërdorimin e këtij institucioni për interesa sektare, për trajtimin e tij si çiflig apo plaçkë lufte nga krerët e saj,… etj.
Këtë gjë e kemi bërë herë në mënyrë të drejtpërdrejtë, herë të nënkuptuar, herë me gjuhë të ashpër, e herë me të butë, herë me shpresë se do të ketë reflektim, e herë me dëshpërim nga arroganca dhe shpërfillja që përçonin krerët e KMSH-së, dhe kjo që nga viti 2007.
Në të gjitha këto raste, asnjëherë nuk kemi marrë këtë vëmendje të shtuar nga mediat shqiptare, kështu që pikërisht për këtë arsye, u shfrytëzua vizita e Presidentit turk për të marrë këtë vëmendje, me shpresën gjithmonë se do t’i kushtohet sadopak vëmendje këtyre kërkesave parimore të kahershme tonat. Ndërkohë, nuk janë në fokusin tonë debatet dhe komentet e tjera, që pritej të shoqëronin dhe po shoqërojnë vizitën e Presidentit Erdogan në Shqipëri.
Ndoshta është e tepërt ta them, por ja që në këtë vendin tonë, kjo që do të them nuk është kurrë e tepërt: pas gjithë kësaj përpjekjeje, nuk fshihet asnjë interes personal, klanor apo sektar, asnjë agjendë apo financim i huaj, por thjesht dëshira dhe përpjekja për të bërë më të mirën për fenë, besimtarët dhe institucionin që na përfaqëson në këtë vend; Allahu është për këtë Dëshmitar.
Sigurisht, që gjithë kjo situatë dhe kjo përballje mund të ishte shmangur, madje vite më parë, nëse do të kishte pasur sadopak mirëkuptim dhe reflektim nga krerët e KMSH-së, por me sa duket njerëz që janë ndotur me të gjitha mëkatet e mësipërme, e kanë tepër të vështirë të pastrohen prej tyre, kështu që nuk iu kemi asnjë borxh, për atë që ndodh sot ndaj tyre.
Padyshim që nuk më vjen mirë dhe nuk jam nga ata që gëzohen me fatkeqësinë e të tjerëve, por më shumë më vjen keq për institucionin që ata kanë marrë peng, e që vuan sot pasojat e këtyre mëkateve. Lus Zotin të na hapë të gjithëve zemrat për tek e vërteta dhe e drejta, e të mos na lërë në verbërinë sektare të askujt, sepse “Vërtet, nuk verbohen sytë, por verbohen zemrat në kraharor.” (Kurani: 22: 46)