Strategjia e Berishës për zgjedhje/ Ngritja e një koalicioni opozitar bashkë me LSI-në, që përjashton PD-në e Bashës

Kandidatët e Sali Berishës nuk do të regjistrohen me siglën e Partisë Demokratike në zgjedhjet e pjesshme lokale, por do të jenë pjesë e një koalicioni opozitar, ku PD e drejtuar nga Lulzim Basha do të jetë jashtë tij.
“Çështja e kandidatëve tanë do të zgjidhet me shpalljen e marrëveshjes pas 2-3 ditësh me një front më të gjerë opozitar. Kjo marrëveshje do të përcaktojë edhe siglën edhe emrin e koalicionit dhe detaje të tjera që janë teknike. Po të ishin zgjedhje për këshillat bashkiakë nuk do kishim ndonjë debat në këtë studio. Ne kemi një zgjedhje që është mazhoritare dhe që edhe 5 vota po të heqin rrezikon mandatin e kryetarit të bashkisë. Cila është zgjidhja që të mos ketë përçarje votash? E para është një koalicion i gjerë që përfshin edhe aleatët tradicionalë edhe LSI që janë të gjitha partitë relevante në opozitë. E dyta, kemi një zgjidhje të re për të bashkuar aty ku vite më parë edhe mund të ketë pasur përçarje, kemi primare”, tha në një intervistë për emisionin “Debat” në A2, Genc Pollo, anëtar i Komisionit të Rithemelimit.
“Pra nëse PD e 11 dhjetorit ka një afërsi dhe po punon me aleatët tradicionalë që përfaqësohen dhe me deputetë me LSI ka një problem me fraksionin e mbetur. Por nëse ka kandidatë të mirë të zotë që janë të afërt me Bashën fare mirë mund të kandidojnë në primare dhe nëse një prej tyre do të fitojë do të marrë të gjithë mbështetjen e opozitës së bashkuar. Ne po tentojmë një zgjidhje që merrem mendimin e tyre që do të qeverisen nga kryebashkiakët. Nëse ka kandidat me potencial që vijnë nga fraksioni i Bashës duhet të futen në primare, siç mund të vijnë dhe nga partitë e tjera”, vijoi ai.