Meta nis “fushatën” nga Shkodra: 6 marsi ditë reflektimi

Pas shpalljes së dekretit për caktimin e zgjedhjeve më 6 mars për 6 bashkitë e mbetura pa kryetarë, presidenti Ilir Meta ka udhëtuar drejt Shkodrës, bastionit të demokratëve, qytetit që do të përfshihet nga ethet zgjedhore.
Kreu i shtetit në një prononcim për mediat tha se këto zgjedhje duhet të jenë model në respektimin e votës së lirë.
“Nuk dua të bëj replika as serioze e as gazmore, është një moment i rëndësishëm për të rindërtuar, rivendosur, për të rehabilituar institucionin e votës së lirë në vend. Nuk janë zgjedhje kombëtare, por janë një proces që përfshin disa nga bashkitë më kryesore të vendit. Problemet me të cilat ndeshet vendi ynë prej kohësh ka të bëjë me respektimin që duhet të bëhet ndaj votës së lirë. Unë i nxis aktorët të dëshmojnë reflektimin e duhur e ti shërbejnë një pronësi shembullor që do të jetë në vëmendjen e institucioneve që kanë bërë vërejtje për zgjedhjet në vendit tonë. Po punojmë me Maqedoninë e Veriut për çeljen e negociatave me BE”, tha Meta.
Presidenti shtoi më tej se asnjë parti nuk ka shmangie nga këto zgjedhje dhe të gjithë aktorët janë të interesuar të marrin pjesë.
“Nuk ka asnjë shmangie të asnjë force politike, as të PS, e as të PD, as të LSI, as të PR, e partive të tjera. Është një mundësi edhe për shoqërinë civile, grupet e interesit dhe çdo qytetarë që të marrë pjesë e të kontribuojë për një proces të qetë. Të favorizuar janë qytetarët të cilët do të kenë në 6 mars mundësinë për të zgjedhur mes disa kandidatëve. Kjo është në interesin e qytetarëve për të zgjedhur”, u shpreh Presidenti.