Shkodra e Durrësi, testi i Bashës përballë Berishës

Ilir Meta shmangu Lulzim Bashën dhe njerëzit e tij në konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve për 6 bashkitë të mbetura pa kryetar. Ai menjëherë nxori dekretin që më 6 mars të mbahen zgjedhjet në bashkitë e mbetura pa kryetar e konkretisht në Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë.
Padyshim që në këto zgjedhje Edi Rama dhe PS janë më komod, pasi kanë përballë një kundërshtar të përçarë, Partinë Demokratike. Partia më e madhe opozitës si asnjëherë tjetër në këto 30 vite pluralizëm politik është e ndarë më dysh, në mbështetës të Bashës dhe në atë të Berishës. Të dyja palët nuk e njohin njëra-tjetrën dhe se pretendojnë se ata janë PD e vërtetë dhe gëzojnë mbështetje te anëtarësia, pra janë shumica.
Përballë kësaj përplasjeje të madhe, testi i vërtetë padyshim janë zgjedhjet ku palët brenda PD-së do të sfidohen se kush ka më shumë mbështetje. Berisha ka njoftuar nisjen e primareve për zgjedhjen e kandidatëve duke lënë si afat 24 janarin për paraqitjen e kandidaturave dhe ato të ballafaqohen me anëtarësinë. Deri më 30 janar Berisha pretendon të mbyllë këtë proces.
Basha duhet të vihet përpara sprovës, nëse edhe ai do t’i zgjedhë kandidatët me të njëjtën praktikë ose jo. Pavarësisht se ende nuk ka folur gjykata se kush do ta përfaqësojë PD-në zyrtare, gjasat mund të jenë që Berisha të dalë në këto zgjedhje me kandidatë të pavarur, pa logo partie.
Shkodra, kryebeteja e demokratëve
Bastioni i demokratëve do të kthehet në një arenë luftë mes dy grupimeve në PD. Shkodra prej 3 vitesh nuk ka një kryetar de jure, e për hir të një konsensusi politik është Voltana Ademi e zgjedhur 7 vite më parë. Ajo prej tre vitesh po “mbretëron” si e kundërligjshme.
Kryebashkiakja ndërkohë është shkëputur nga Basha dhe është rreshtuar me grupimin “Berisha”. Pritet të shihet nëse ajo do të rikandidojë ose jo në zgjedhjet e 6 marsit. Këto votime kanë vlerën e një viti, pasi kryebashkiakët e zgjedhur do të kenë një mandat të kufizuar, por shihen si test për palët, qeverisjen e opozitëm.
Rreth Berishës janë mbledhur edhe të pakënaqur të tjerë në Shkodër, që kanë qenë ish-kryetar bashkie si Lorenc Luka apo Artan Haxhi. Interesante në këtë betejë do të jetë edhe qëndrimi që do të mbajë LSI-ja në këto zgjedhje pjesshme, nëse do të ketë kandidat të sajin në bashkinë e Shkodrës, apo partia “presidenciale” do të bashkojë votat me kandidatin që do të përzgjidhet nga Berisha.
Durrësi, sfida personale e Ramës
Bashkia tjetër kryesore është ajo e Durrësit, qyteti i dytë për nga rëndësia pas Tiranës. Durrësi prej vitesh është kthyer në një tabu për demokratët, që kanë për më shumë se një dekadë që nuk e kanë fituar atë. Sot bashkia e fituar nga socialistët, pati tronditje, pasi Valbona Sako u tërhoq për shkak të një deklarate të saj në lidhje me tërmetin e 26 nëntorit. Durrësi përherë është cilësuar si një barometër politik, përherë ka qenë i lëkundur me votat e tij e ka dominuar elektorati gri.
Por kjo betejë veç faktit se shihet si matje forcash mes Berishës dhe Bashës, do të jetë edhe një sfidë personale e kryeministrit Edi Rama, pasi ai është edhe deputeti i Durrësit. Qyteti bregdetar është më i goditur nga tërmeti dhe po vuan ende pasojat. Këtu do të shihet edhe se sa durrsakët do ti besojnë ose jo qeverisë socialiste. Ashtu si edhe në Shkodër dhe në Durrës, duket se Berisha gëzon më shumë mbështetje te demokratët.
Një betejë interesante është edhe ajo e Vorës dhe Dibrës ku dihet se demokratët kanë ndikimin e tyre në elektorat dhe janë bashkitë që janë drejtuar nga ato prej vitesh. Ndërsa Rrogozhina e Lushnjë shihen si më pranë së majtës.
Në betejën e 6 marsit interesante është të shihet qëndrimi që do të mbajnë aleatët e PD-së, veç LSI, por edhe PR, PAA, LZHK dhe PDIU. Nisur nga kjo situatë kemi një opozitë fragmentarizuar, ku dominon Dashamir Shehu i cili po tenton të krijojë një pol të ri politik të së djathtës. Numri dy i PD-së, Jorida Tabaku deklaroi se kandidatët e saj do të zgjidhen me të gjithë aleatët e saj, por kjo tashmë do të shihet se sa do të ndodhë.
Tashmë zgjedhjet në këto 6 bashki nuk janë një sfidë ndërmjet PS-së dhe PD-së, por është një garë e fortë brenda dy fronteve: Berishës dhe Bashës. Zakonisht kur përplasen dy vetë, fiton një i tretë, këtu i bie që është PS-ja, por një i tretë mund të dalë edhe brenda PD-së që mund të “rrëzojë” të dy palët brenda partisë më të madhe për hir të kohezionit politik./ Gazeta Shqip