Nishani: Pa Kosovën nuk marrë pjesë në Ohër
Para pak çastesh, presidenca e Shqipërisë ka publikuar deklaratën e
presidentit Bujar Nishani ku zyrtarizohet vendimi për të mos marrë pjesë
në Samitin Ohrit më 1 dhe 2 qershor për shkak të mungesës së
presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Deklarata e plotë e presidencës së Shqipërisë
Duke e konsideruar bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e
fqinjësisë së mirë, si shtylla që garantojnë paqen, sigurinë e
stabilitetin në rajon dhe parakushte për integrimin e tij në Bashkimin
Evropian dhe NATO, Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore
(SEECP), mbetet forumi qendror dhe një nismë unike, bazuar në vullnetin e
vetë vendeve të rajonit. Ai duhet të jetë institucioni
gjithëpërfshirës, ku të gjithë vendet e rajonit të jenë të pranishme dhe
të unifikojnë qëndrimet e tyre për problemet e përbashkëta në procesin e
zhvillimit dhe integrimit në familjen evropiane. Jo izolimi dhe
përjashtimi, por bashkëpunimi dhe integrimi janë kushtet për suksesin e
plotë të misionit të tij.
Duke patur parasysh:
Marrëveshjen e 23 Shkurtit 2012 për Përfaqësimin dhe Bashkëpunimin
Rajonal, si edhe Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve mes
Kosovës dhe Serbisë, datë 19 prill 2013, garantuar më Marrëveshjen e
Parimeve të Përgjithshme për Zbatimin e Planit të dakordësuar mes
Kosovës dhe Serbisë, datë 22 maj 2013, të nënshkruara mes Kryeministrave
Thaçi dhe Daçiq në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian,
sipas të cilave, asnjëra palë nuk do të pengojë dhe nuk do të inkurajojë
një palë të tretë të bllokojë përparimin në rrugën e integrimit
evropian.
Parimet e Kartës së Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Jug-Lindore;
Angazhimin e plotë të Republikës së Shqipërisë për të marrë pjesë
aktive, dhe konstruktive në të gjitha nismat dhe organizatat rajonale;
Duke respektuar frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe respektit reciprok;
Duke çmuar rëndësinë e zbatimit të angazhimeve të marra nga të gjitha
vendet e rajonit për thellimin e zgjerimin e bashkëpunimit rajonal dhe
të fqinjësisë së mirë;
Shpreh zhgënjimin lidhur me kushtëzimin destruktiv që i bëhet
pjesëmarrjes dhe përfaqësimit të vendeve të rajonit në Samitin e Ohrit,
një veprim i paprecedentë dhe në kundërshtim të plotë me të gjitha
marrëveshjet dhe parimet e lartpërmendura; si edhe frymën e dialogut e
bashkëpunimit në rajon.
Në kushtet e thyerjes së atmosferës së mirëbesimit dhe të respektit
reciprok, me keqardhje njoftoj vendimin për të mos marrë pjesë në
Samitet e Ohrit të datave 1 dhe 2 qershor.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.