Tare : E çoj Shqipërinë në Botëror, ose Europian

Një Igli Tare jo më në kostum, sikundër jemi mësuar ta shohim vitet e fundit.
I intervistuar nga media italiane, drejtori sportiv aktual i Lacios është “zbërthyer”, duke treguar historinë e karrierës së tij, nga rrugët e Vlorës ku lindi, te miqësitë me Pep Guardiolën, Roberto Baxhion dhe ëndrra që një ditë të jetë në krye të Kombëtares shqiptare dhe të mund ta kualifikojë në një Europian apo Botëror. “Kur isha 15 vjeç, u thashë shokëve të mi: një ditë do të luaj në Serinë A. Ata më morëm për të çmendur, kjo edhe për faktin se asokohe jetonim nën regjimin komunist, ku të ëndërroje nuk ishte edhe aq e thjeshtë”, pohon Tare për emisionin “Tribuja e futbollit” (La Tribù del Calcio), që transmetohet nga Mediaset.
Karriera
Skuadra që pëlqente më shumë në atë kohë ishte Milani i Sakit, por karrierën e nisi në Gjermani. Eksperienca e parë te Manhajm, më pas në Bundesligë me Karsluhe, për të kaluar edhe te Dyseldorfi e Kaizerslauterni. Më tej, Tare kujton problemet dhe ambientimin në Gjermani pa pasur asnjë mbështetje. “Impakti me futbollin gjerman ishte tejet i vështirë, sidomos në tri vitet e para, kjo edhe ngaqë nuk flisja gjuhën dhe isha i vetëm. Në ato vite kuptova se nëse ke një ëndërr, duhet të bësh gjithçka për ta ndjekur”. Mbërritja te Kaizerslauterni në 1999-2000 ishte edhe momenti më i mirë për Taren, pasi skuadra e tij ishte në qendër të vëmendjes për sukseset e shumta të arritura në ato vite. “Ka qenë një periudhë kur unë nuk është se pranohesha shumë nga ambienti te Kaizerslauterni, sepse vija nga nj skuadër e kategorisë së dytë si Dyseldorfi”. E megjithatë çdo futbollist ka ditën e tij të shënuar. Për Taren është 29 prilli i vitit 2000, kur Kaizerslautern luante ndaj Ulmit. “Më kujtohet kur spikeri i stadiumit thirri emrin tim dhe menjëherë nisën fishkëllimat, çka tregonte se situata për mua nuk ishte ndër më të mirat. E megjithatë, atë ditë shënova 4 gola dhe skuadra fitoi 6-2″, vazhdon Tare.
Italia
Dhe në 2001, kalimi në Itali te Breshia. “Breshia do të mbetet gjithnjë në zemrën time. E them këtë për arsye se isha atje në kohën më të mirë me lojtarë si Baxhio, Guardiola, Pirlo, Toni etj. Ishte një skuadër që sipas meje duhej të luante më shumë sesa për të mbijetuar”. Te Breshia, Tare qëndroi 2 sezone duke shënuar 15 gola, kjo edhe falë Karlo Macones (trajneri). “Më mësoi shumë gjëra, por aty ishte edhe Baxhio. Një nga lojtarët më të fortë në futbollin botëror. Në stërvitje bënte gjëra që në pamje të parë të dukeshin të lehta, vetëm se kur tentoje ta imitoje ishte e pamundur. Nga këto gjëra të vogla kuptoje se Roberto (Baxhio) ishte i një brumi krejt tjetër. Mua më ka bërë përshtypje përulësia e tij, pasi në asnjë moment nuk abuzoi me emrin e madh që mbante. Të gjithë e konsideronin një shembull. Ndërsa te Guardiola, gjëja që më ka bërë më tepër përshtypje ishte respekti i tij ndaj Macones. Ne takoheshim çdo të mërkurë në shtëpinë e Xhuntit (ish-lojtar i Breshias) dhe aty kuptoje filozofinë e Pep, e cila ishte komplet ndryshe nga ajo e Macones. Por ama ai nuk e kontestoi asnjëherë Karlon dhe nuk i vuri kurrë në dyshim zgjedhjet e tij”.
Tragjedia
Te Breshia ai kujton edhe momentin kur u nda nga jeta Vitorio Mero. Ishte 23 janar 2002 dhe Breshia luante në Parma për Kupën e Italisë. Mero ishte i pezulluar dhe po kthehej në shtëpi pas stërvitjes kur një furgon u përplas me makinën e tij. “Shikonim tifozët që ulërinin, por nuk arrinim ta kuptonim. Pastaj njëri nga binjakët Filipini u afrua tek ata dhe mësoi për tragjedinë. U futëm menjëherë në dhomat e zhveshjes dhe të gjithë nisëm të qanim. Ishte e tmerrshme”. Pas Breshias, Tare kalon te Bolonja, ku gjeti Bepe Sinjorin. “Sinjori është një njeri i mirë dhe një kampion i madh. Këtë e them në një moment jo shumë të mirë për të, por unë për Bepen ruaj respekt dhe besoj se ai do të jetë pjesë e historisë së futbollit italian”.
Lacio
Dhe sigurisht, ndër të tjera, nuk mund të mungonte edhe afrimi te Lacio. Ai ishte 32 vjeç, por gjithsesi kishte dëshirë të tregonte se vlente. Në sezonin e parë, Tare shënon vetëm tre gola, por njëri nga këta ishte realisht i bukur. “Goli i 4-1 ndaj Askolit ishte një gol më shumë i realizuar instinktivisht. Më erdhi një kros, të cilin e ngrita disi dhe më pas në roveshatë, shënova. Kur shënova atë gol u ndjeva disi i veçantë, paçka se nuk isha më një djalosh”. Nga futbollist, Lotito e merr si drejtor sportiv. Tare pranon dhe sjell te Lacio lojtarë si: Klose e Marketi, paçka se operacioni më i vështirë në merkato ka qenë afrimi i Hernanes. “Kisha ditë që merresha si me lojtarin dhe me menaxherin. Dhe kur gati firmosëm, kisha në dhomën tjetër Lionin që i kishte ofruar si San Paolos edhe lojtarit më shumë parà, por ai qëndroi te ne, ndaj edhe ia di për nder”.
Kombëtarja
Në fund Tare e mbyll me ëndrrën e tij, e cila nuk lidhet më me Italinë, por me Kombëtaren shqiptare. “Dëshira ime është të kontribuoj te Kombëtarja e vendit tim, me qëllim që ajo të mund të kualifikohet një ditë në një Botëror apo Europian”, përfundon Igli Tare

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
             Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT