“Po të ishim ngjitur në katin e dytë, do t’i kishim hedhur nga aty të gjithë. Ata të Bashës janë tropojanë si unë, po nuk lahen”

Reperi Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit “Stresi” ka folur për protestën e 8 janarit në selinë e Partisë Demokratike.
Në një intervistë, i riu që pozon shpesh me armë në rrjete sociale thotë se protestuesit nëse do hynin në seli, do t’i hidhnin nga kati i dytë të gjithë personat brenda ambienteve të saj, pa përjashtim.
“Unë isha me familjen në protestë. Nuk i kam gjuajtur askujt të partisë time atë ditë as me gurë as me asgjë. Unë dhe familja ime kemi vendosur të qëndrojmë prapa në protestë. Vetëm kam qenë aty në turmë me njerëzit. Kemi ecur qetë. Në momentin që po shkoja në makinë jam arrestuar nga dy policë të komisariatit 4”, tha ai për intervistën me MCN.
Stresi thotë se ndërhyrja e forcave të policisë ishte e gabuar, pasi sipas tij, ata përdorën “helm” ndaj protestuesve. Por pavarësisht kësaj, reperi e falenderon Policinë:
“Në fakt kësaj radhe dua ta falendëroj shtetin sepse ka ndërhyrë në një moment shumë të rëndësishëm. Po mos të kishte ndërhyrë shteti ne do hynim aty dhe do i hidhnim nga kati i dytë të gjithë pa përjashtim.
Edhe ata që nuk janë larë nga dy muaj, janë partiota të mi nga Tropoja. Njerëz që pasi ikin nga PD-ja ikin dhe luajnë bixhoz gjithë natën pijnë alkool, pijnë drogëra. Këta janë mbështetësit e Lulzim Bashës.
Po të kishim hyrë në kat të dytë sot do qeshte e gjithë bota me ne dhe herës tjetër i këshilloj të mos hyjnë në katin e dytë. Kësaj radhe edhe tanket le ti vendosin në derë, populli do jetë më mirë i organizuar se vetë shteti”, thotë i riu.
I pyetur pse merr pjesë në demonstrimet e dhunshme të deputetit non grata Sali Berisha, reperi thotë:
“Nuk e kam thënë kurrë më parë këtë gjë. Unë Berishën e kam të familjes nga gjyshi, kushëri të afërt shumë. Gjyshi im nga babai e ka kushëri të parë. Shumë pak veta e dinë”.
