Sektori i hidrokarbureve i pafiskalizuar? Shpërthen Braçe: Një koncesionar po mban peng procesin, do të krijojë monopol

Komisioni i Ekonomisë ka shqyrtuar aktin normativ për shtyrjen e gjobave për biznesin e vogël sa i takon procesit të fiskalizimit. Diskutimet mbi fiskalizimin janë shoqëruar me debate mes ish-zëvendëskryeministrit Erion Braçe dhe zëvendësministres së Financave Vasilika Vjero, pasi deputeti Braçe kërkoi informacion nëse sektori i hidrokarbureve dhe grumbulluesit bujqësor e kanë nisur fiskalizimin.

Duke mos pasur një përgjigje konkrete me të dhëna nga zëvendësministrja, Braçe tha se ky proces nuk ka nisur tek hidrokarburet që gjeneron më shumë para se sektorët e tjerë.

Braçe: A mund të dijë në tregtimin me shumicë dhe pakicë të gazit, a ka nisur fiskalizimi? Në sistemin e grumbullimit dhe tregtimit të produkteve bujqësore perime apo fruta, ka hyrë fiskalizimi?

Vjero: Për fushën e gazit, naftës dhe hidrokarbureve nuk ka përjashtim. Pra është një sektor që duhet të jetë i fiskalizuar, dhe nëse kompanitë nuk janë të fiskalizuara i takon administratës tatimore ti verifikoj dhe ndëshkoj ato. E njëjta gjë dhe për prodhuesit.

Braçe: E kanë nisur apo jo?

Vjero: Nuk kemi raportime nga administrata tatimore që nuk janë fiskaizuar. Në bazë të ligjit duhet të jenë fiskalizuar

Braçe: Dhe një herë ka ndodhur apo nuk ka ndodhur?

Vjero: Mendoj që ka ndodhur, nuk besoj se…

Braçe: Pra ju mendoni se ka ndodhur?

Vjero: Po patjetër, ata janë nën regjimin automatik. Ne nuk kemi të dhëna nga administrata që ky sektor është i pafiskalizuar.

Braçe: Po pyes komplet për gjë tjetër. Është vërtetuar disa herë që kanë shpikur metoda që të mos jenë fare në sistemin automatik për abuzim. Sektori ku bëhet xhiroja më e madhe. Pyeta për fiskalizimin, dhe dua të dijë arsyet se përse nuk fiskalizohet ky sektor.

Me tone të larta Braçe thotë se fiskalizimi tek hidrokarburet po mbahet peng nga koncesionari i pompave të naftës, që kërkon të bëjë monopol fiskalizimin në këtë sektor.

Braçe: Fiskalizimi nuk është as kleçkë dhe as halli i imi por i të gjithëve. Kur vendosëm ta bënim fiskalizimin patë parasysh që duhet të luftojmë informaliteti, të vendosim barazi në treg dhe hyrjen e pabarazisë midis atyre që bëjnë biznes të ndershëm dhe të gjithë të tjerëve që bëjnë biznes informal arkëtojnë para dhe nuk paguajnë taksa dhe bëjnë pasuri. Këto ishin dy qëllimet. Nëse cenohet njëri apo tjetri padiskutim që është cenuar edhe konkurrenca. Ca penalizohen, ca nuk penalizohen dhe bëjnë para. Pyes për naftën sepse këtu nuk ka sinqeritet, dhe e dinë të gjithë që fiskalizimi për sektorin e hidrokarbureve ka një VKM të posaçme që e rregullon që nuk po zbatohet dhe ky është problemi. Dhe nuk po zbatohet jo për shkak të kompanive të karburantit por për shkak të një koncesionare që do të bëjë monopol gjithçka, do të bëjë monopol siç e ka marrë kontrollin e peshës në pompat e karburantit, do të bëjë të vetin edhe fiskalizimin e pompave të karburantit. Pra një koncesionar që i bëri shantazh shtetit për muaj të tërë për të mos lejuar të nxirrte VKM që nxori, një koncesionare që vazhdon ti bëjë shantazh shtetit duke përdorur lloj-lloj instrumentesh për të kapur një pompë që në të gjithë Shqipërinë shkon në mijëra pompa, prandaj nuk ka fiskalizim sot në sektorin e hidrokarbureve. Nuk është faj im që shkoj në pikën e karburantit e nuk marr faturë të fiskalizuar.

Historia e fillimit të fiskalizimit tek sektori i hidrokarbureve ka nisur në vitin 2020, kur këshilli i Ministrave me vendim Nr. 1185, datë 24.12.2020, vendosi që tri kompani do të bënin monitorimin e vëllimit të transaksioneve në sektorin e hidrokarbureve.

“Ky vendim përcakton: a) metodologjinë e sistemit të fiskalizimit të transaksioneve tregtare në sektorin e hidrokarbureve; b) procedurën e ofrimit të instalimit dhe të mirëmbajtjes së sistemit të monitorimit nëpërmjet operatorëve privatë, të autorizuar nga autoritetet përgjegjëse, sipas kërkesave dhe procedurave të parashikuara në këtë vendim; c) detyrimin ligjor që të gjithë tatimpaguesit, që tregtojnë me shumicë dhe/ose pakicë naftë dhe produkte të saj dhe gaz natyror të lëngshëm (GNL) në format e tregtimit, përfshirë skemat e vogla të GNL-së (SLNG) dhe impiantet e gazit natyror të komprimuar (CNG), të pajisen me mjete dhe sistem elektronik të kompjuterizuar për regjistrimin dhe qarkullimin e produkteve të tregtuara prej tyre; ç) mënyrën e funksionimit të sistemit të monitorimit dhe të komunikimit me administratën tatimore; d) kriteret për pajisjen me autorizim të shoqërive që ofrojnë sisteme të tilla nga autoritetet përgjegjëse, afatet dhe dokumentacionin që duhet të plotësojnë operatorët e autorizuar, nivelin”, thuhet në VKM-në e posaçme për fiskalizimin e këtij sektori.

Pas kësaj VKM-je, kompania e pompave të naftës ‘Noa CONTROL’ SHPK,  paditi Këshillin e Ministrave dhe Ministrinë e Financave për këtë vendim në Gjykatën Administrative të Apelit.

Kjo padi u pranua nga Gjykata Administrative e Apelit, e cila në 2021 vendosi pezullimin e zbatimit të këtij vendimi, çka praktikisht stopoi vijimin e procesit në këtë sektor.

Vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit

 

(Kliko këtu për VKM-në e fiskalizimit të hidrokarbureve)

Back to top button
LAJMET E FUNDIT