Kryeministri Thaçi i gatshëm edhe për luftë me Serbinë
Kryeministri Hashim Thaçi, duke iu përgjigjur kritikave të deputetëve të opozitës për bisedimet me Serbinë, në një moment shpërthimi është shprehur i gatshëm për të hyrë në luftë me Serbinë, nëse Kuvendi i Kosovës vendos për këtë gjë.
“Parlamenti i Kosovës vendos edhe për paqen, edhe për luftën. Le të marrë vendim Parlamenti i Kosovës dhe Qeveria do ta zbatojë atë”, ka thënë ai, duke e goditur me pëllëmbë foltoren e Kuvendit, raporton sot “Koha Ditore”. Por ky deklarim i tij është cilësuar i çuditshëm nga nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti.
“Unë si deputet bajagi i vjetër i këtij parlamenti si për nga mosha, si për nga kultura mendoj se situata jonë nuk është luftë ose paqe. Tjetër është gjuha e kategorive të mëdha që nuk na duhet. Ne mund të jemi ajo që thotë Petrarka: ‘Paqe nuk gjej e luftë s’kam për të bërë më’. Besoj se është koha kur duhet të jemi shumë më të matur në deklarata”, ka thënë Hamiti.
Shefi i Grupit parlamentar të “Vetëvendosjes”, Visar Ymeri, nga ana tjetër, ia ka përkujtuar Thaçit së paku një rast kur Kuvendi kishte marrë vendim e Qeveria nuk e kishte zbatuar.
“Kuvendi pati marrë vendim për reciprocitet politik e tregtar me Serbinë, por Qeveria nuk deshi ta zbatojë”, ka deklaruar Ymeri. Në fakt, Qeveria e pati rrëzuar mocionin e reciprocitetit me një kundërmocion që e heq këtë masë.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.