Tropoja i bllokon titullin “Qytetar Nderi” akademikut Rexhep Qosja
TIRANE – Akademikut Rexhep Qosja i është ‘refuzuar’ titulli “Qytetar Nderi” në Tropojë, edhe pse për këtë vlerësim ishin marrë më herët dy vendime zyrtare. “GSH” disponon dy shkresa që hedhin dritë mbi ngjarjen e ndodhur në Komunën Tropojë të qytetit verior. Pasi këshilli i komunës, me shumicë votash kishte arritur t’i akordonte akademikut të njohur titullin, ka qenë kryetari Ram Kortoçi, ai që e ka bllokuar atë. Dy shkresat që po botojmë, tregojnë, njëra vendimin e marrë për të vlerësuar profesorin e njohur dhe tjetra anulimin e të parit. Po çfarë ka ndodhur në të vërtetë?
Ngjarja
Me propozim të një grupi këshilltarësh, Komuna Tropojë, me vendimin nr.70, datë 7.11.2012 kishte vendosur t’i akordojë akademikut Rexhep Qosja titullin: “Qytetar Nderi”, si studiues i përkushtuar, shkrimtar me veprimtari të pasur kulturore e atdhetare dhe veprimtar i njohur i çështjes kombëtare. Nga 9 këshilltarë të pranishëm, vendimi u mor me pesë vota pro e katër kundër dhe motivacioni ishte: “Figurë komplekse dhe intelektuale e kombit shqiptar, arkitekt i bashkimit kombëtar, shkrimtar i njohur dhe njëri prej përfaqësuesve më në zë të mendimit filozofik shqiptar”. I njëjti vendim ishte marrë edhe më herët, por qe anuluar sepse bashkë me profesorin, titulli i qe propozuar e qe miratuar edhe për dy emra të tjerë. Fakti që vlerësimi u dha për tre veta njëkohësisht, u përdor si justifikim për ta bërë atë të pavlefshëm. Ndërsa pas vendimit të dytë, ka qenë vetë kryetari i Komunës Tropojë-Fshat, ai që përmes shkrese që mban datën 8.11.2012 e refuzon vendimin e këshillit.
Në letrën që mban firmën e vulën e tij, Ram Kortoçi e kthen për shqyrtim vendimin e mësipërm. Një ndër arsyet e refuzimit që ai përdor është fakti se sipas tij, “Për marrjen e një titulli të tillë duhet që personi i propozuar të ketë dhënë një kontribut ku të ketë përfituar komuniteti i kësaj komune dhe për këtë arsye personi në fjalë nuk e plotëson këtë kriter”. Në këtë mënyrë, ai lë të kuptohet se Qosja nuk ka kontribut për këtë komunë, paçka se motivacioni i thënë më herët tregon kontribute të jashtëzakonshme të akademikut.
Por përpos kësaj, Kortoçi në argumentimin e tij flet për luftën e Kosovës dhe ndihmën që shqiptarët këtej kufirit, iu dhanë atyre përtej kufirit, duke theksuar se Qosja duhet ta kishte falenderuar Tropojën për këtë ndihmë. “Një njeri që mban titullin akademik dhe një njeri që e ndjek situatën duke e ditur gjendjen e kombit të tij në çdo pjesë të territorit, akademik Rexhep Qosja e ka ditur se në vitin 1999, në kohën e largimit të kosovarëve me dhunë nga trojet e veta, Tropoja, ky vend që nuk kishte vend për familjet e veta, u hapi derën vëllezërve kosovarë. Por Qosja nuk e zuri kurrë në gojë këtë akt, siç bënë pjesa më e madhe e intelektualëve kombdashës kosovar”, shkruan kryetari i Komunës Tropojë-Fshat.
Akademiku
Pavarësisht argumenteve që ka përdorur z. Ram Kortoçi, na duhet të kujtojmë se Prof. Rexhep Qosja përveçse akademik dhe figurë e shquar e çështjes kombëtare, ka qenë pjesëtar i delegacionit të Rambujesë, i cili vendosi për fatet e Kosovës. Në fakt, do të ishte më shumë nder për komunën ta kishte atë “Qytetar Nderi”, se sa e kundërta. Nga ana tjetër, një pjesë e rëndësishme e veprës së tij në këto 13 vjet të shtetit të Kosovës ia ka kushtuar tragjedisë që ndodhi me shqiptarët, për shkak të represionit serb dhe kontributit të jashtëzakonshëm të popullit shqiptar për çeljen e dyerve dhe zemrave për shqiptarët e dëbuar nga trojet e tyre në Kosovë, se të parin botim për këto ngjarje makabër e ka botuar në dy vëllime në ditarin e tij, “Paqja e përgjakshme” që në vitin 1999, si dhe në veprën madhore “Tronditja e shekullit” (shënime historike, 2001), që do të thotë se është dokumenti i parë historiko-letrar, që është shkruar për këto ngjarje. Deri më tani, Qosja është vlerësuar me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, si dhe është shpallur “Qytetar Nderi” në Vlorë, Gjirokastër, Tepelenë, si dhe “Nder i Qarkut të Gjirokastrës”.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.