Deputeti Saimir Korreshi: Të marrim njëherë bashkitë, pastaj le të plasë boksi!

Deputeti Saimir Korreshi tha mbrëmjen e sotme se me 2 kandidatë PD rrezikon të humbasë në zgjedhje e pjesshme lokale që do të mbahen më 6 Mars, në 6 bashki të vendit.
“Është një presion shumë i madh. Trysni përballë të gjithë demokratëve lushnjarë të cilëve po i vemi si dy gjysma gjeli . Nëse të dy kandidatët që do të dalin do jenë brenda nesh brenda kësaj armate që prodhuan këto vota në Durrës.
Njerëzit do ndahen në dy lloj, përveç PS, do ketë përballë dhe shokët e vetë. Nuk po arrijmë dot ti sjellim në një mendje demokratët. Si pasojë presioni është më i madh. Me dy kandidatë rrezikohet që të humbet. Do ndaheshin demokratët dhe kjo do ishte shumë e rëndë. Këto s’janë ditët më të lehta të PD”, tha Korreshi.
Ai u shpreh në një intervistë në “ABC News” se fillimisht duhet marrë bashkia, pastaj tha me ironi se le të “kapin dorezat e boksit” demokratët me njëri-tjetrin.
“E vetmja formulë është që ne demokratët këtu në bazë të mendojmë për të fituar bashkitë dhe jo kujt t’i shërbejmë Berishës apo Bashës. Unë jam me idenë që fillimisht të marrim bashkinë e Lushnjes pas kaq vitesh pastaj le të marrim dorezat e boksit dhe të zihemi përsëri. Nuk është lufta jonë e demokratëve këtu. Ti kthejmë bashkinë e Lushnjes demokratëve. Të shkojmë me një kandidat.
Do na qeshin se do thonë prapë ata burgaxhinjtë ju rrahën. Do jetë turpi jonë. Duke na parë me dy kandidatë nuk krijohet fryma e bashkimit. Pavarësisht presionit ne kemi akoma më shumë mundësi dhe potencial. Kandidati i prodhuar nga ana jonë bën të pamundur për ta fituar këtë garë. Ende s’kemi një emër të përbashkët për kandidat. Nëse dega del solide e fortë dhe e bashkuar ne i imponohemi Tiranës dhe i themi ky është kandidati jonë”, përfundoi deputeti Korreshi.