Berisha sulmon për herë të parë Bashën në Parlament: Të hetohen për larje parash Edi Rama e Lul Brava!

Ish-kryeministri Sali Berisha pasi ka hyrë në sallë ka marrë menjëherë fjalën në Parlament duke sulmuar ashpër kryedemokratin Lulzim Basha.
Ai ka komentuar në seancën e sotme plenare raportin e Transparency International për korrupsionin në Shqipëri. Berisha tha se nëse vendi do të bëhet serioz në luftën kundër korrupsionit duhet në nisë duke hetuar kreun e qeverisë Edi Rama dhe kreun e demokratëve Lulzim Basha.
“Në trajtimin e korrupsionit, Parlamenti duhet të ndalet në dy krerët e Meduzës. Rama i akuzuar nga Organizata për Bashkëpunimin dhe Sigurinë në Evropë për larjen e 200 milionë eurove në zonat offshore që nuk e përgënjeshtroi kurrë. Jo më pak Lul Brava që u hetua nga Prokuroria e Tiranës për larje parash dhe iu mbyll hetimi”, tha Berisha.
Teksa Berisha vijonte të fliste me tone të ashpra, kryeparlamentar Lindita Nikolla i ka hequr zërin te mikrofoni, por kjo nuk e ndaloi ish-kryeministri, i cili vijoi akuzat edhe pa mikrofon.
Deklarata e Berishës
“Mendoj se në trajtimin e këtij problemi sot Parlamenti duhet të ndalet në dy krerët e meduzës, të larjes së parave, kreun e meduzës, Edvin Kristaq Rama, i akuzuar zyrtarisht për bashkëpunimin dhe sigurinë e Evropës, për larjen e 200 milionë eurove në zonat offshore, të cilën s’e përgënjeshtroi kurrë, por jo më pak Lul Brava, i cili u hetua nga Prokuroria e Tiranës për larje parash dhe ju mbyll hetimi. Nëse ne duhet të bëhemi seriozë në luftën këtij krimi të shëmtuar që ushqen të gjitha krimet e tjera, përfshirë dhe terrorizmin, duhet t’i vendosim në hetim të plotë si kreun e meduzës, ashtu dhe pengun e tij, Lul Brava, të cilit ja mbylli çështjen në Apel dhe nuk e dërgoi në Gjykatë të Lartë me urdhër të veçantë. Larja e parave të pista është mekanizmi kryesor i investimeve të parave të vjedhura nga qeveritarë me bashkëpunëtorët e tyre. Në mënyrë absolute, shtëpitë e atyre u shkatërruan në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, por kleptokracia në pushtet nuk ka ligje, nuk ka moral, nuk shpirt, nuk ka zemër, ka vetëm para dhe vjedhje parash. Gjykoj që këto ligje të ridimensionohen. Duhet një komision hetimor i domosdoshëm për të hetuar kreun e meduzës dhe Lul Bravën për këtë vepër penale. Ka dhe të tjerë që po hetojnë, por më e mira është ta bëjë Parlamenti këtë”, tha Berisha.