Mediat europiane, ja çfarë shkruajnë për krizën në Preshevë
Kërcënimet e Beogradit dhe heqja e përmendores së UÇPMB-së bashkë me
protestën e fundit në Preshevë, ku morën pjesë mijëra shqiptarë nga
Lugina e Preshevës, bëri jehonë jo vetëm në mediat në Ballkan, por edhe
në ato botërore. Kështu dje dhe sot Presheva dhe lapidari i dëshmorëve
të UÇPMB-së ishte në lajmet kryesore të televizioneve, agjencive dhe
gazetave botërore.
Për Preshevën shkruajtën Reuters, AFP,
Associated Press, Le Monde, Tribune de Geneve dhe gazeta e agjenci tjera
botërore. Kështu agjencia e lajmeve “Reuters”, në raportimin që i bën
lajmit për heqjen e monumentit të luftës në Preshëve, thekson se kjo
mund të ndërlikojë bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës, që drejtohen nga
Bashkimi Evropian. Më shumë se 200 forca të xhadarmerisë serbe
mbështetën policinë për heqjen e monumentit të dëshmorëve të UÇPMB-së,
duke rrethuar sheshin ku ai ishte vendosur.
“Tribune de Geneve”
Sipas “Tribune de Geneve”, “mbi 10 mijë qytetarë të Kosovës Lindore
kanë dalë për të protestuar kundër shkuljes së përmendores së UÇPMB-së
nga xhandarmëria serbe në mënyrë tinzare në orët e hershme të mëngjesit,
si dhe kundër vandalizmit dhe politikës diskriminuese të regjimit serb
në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, ka shkruar gazeta zvicerane “Tribune
de Geneve”.
Po ashtu, kjo gazetë autoritare zvicerane ka shkruar
se, “masa e tubuar në “Sheshin e Dëshmorëve” mbante në duar flamujt
shqiptarë dhe amerikanë, si dhe parrulla, të cilat kundërshtojnë
politikën diskriminuese dhe terrorin serb viteve të fundit në Luginën e
Preshevës. Tubimi nisi me Himnin Kombëtar dhe këngët dedikuar dëshmorëve
të rënë në luftën e fundit kundër regjimit serb. Ndër parrullat që
protestuesit po brohorisnin apo që mbanin në duar veçuam: “Stop
albanofobise serbe”, “Stop dhunës dhe kërcënimeve”, “Mos ma prek gjakun e
dëshmorëve”, “Rroftë UÇPMB-ja, është e jona!”, “Jemi në tokat tona”,
“Duam reciprocitet”, “Duam universitet”, “Duam bashkim me Kosovën” etj.
Reuters
Sipas Reuters, “UÇPMB kapi armët në
vitin 2000 me kërkesë për bashkimin e zonës së populluar nga shqiptarët
në Luginë me Kosovën. Shqiptarët në Luginën e Preshevës luftuan për
bashkimin me Kosovën, por vunë poshtë armët e tyre në bazë të një
marrëveshje paqeje, të ndërmjetësuar nga NATO-ja. Serbia ka premtuar më
shumë të drejta dhe mundësi ekonomike për jugun e varfër, por progresi
ka qenë jo i mjaftueshëm, ashtu siç i ishte premtuar Luginës”. Gjatë
konfliktit të armatosur një dekadë më parë mbeten të vrarë 27 guerilas
shqiptarë. Kryengritja e ushtrisë për çlirimin e Preshevës, Medvegjës
dhe Bujanovcit (UÇPMB) u rebelua në vitin 2000 me kërkesën për bashkimin
e zonës së populluar nga shqiptarët me Kosovë.
Reuters vijon më
tej duke analizuar se, kryengritja mori fund në maj të vitit 2001 me një
marrëveshje për paqe me ndërmjetësimin e NATO-s, që garantoi amnisti
për rebelët. Në këto zona shqiptarët përbëjnë 70% të popullsisë.
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) kishte qenë
ndërmjetësuese për të gjetur një kompromis për përkujtimoren, por heqja e
papritur e lapidarit ka “goditur” negociatat, por megjithatë është
bërë thirrje për qetësi.
Shqipëria lëshoi një deklaratë, ku
thuhej se memoriali është ngritur për të nderuar heronjtë e kombit
shqiptar, të cilët patën luftuar kundër Slobodan Milosheviçit, duke e
rrëzuar në tetor 2000. “Racizmi dhe anti-shqiptarizmi nga trashëgimia e
Slobodan Millosheviçit është gjallë dhe dominon ende në poltikën zyrtare
të Beogradit”, është shtuar. Në Preshevë, një nga rajonet më të varfra
të Serbisë në kufi me Kosovën dhe Maqedoninë, mijëra protestuesit
shqiptarë valvitnin flamuj shqiptarë dhe parulla që lexonin: “Stop
diskriminimit” dhe “Europa duhet të hapë sytë”.
“Qeveria thotë se
këta njerëz ishin terroristë, por njerëzit i shohin ato si heronj, që
mbronin shtëpitë e tyre”, tha Riza Halimi, një shqiptar etnik-deputet i
parlamentit. Konflikti i Luginës së Preshevës u pasua me një luftë
kundër-kryengritje serbe në Kosovë, e cila përfundoi në 78 ditët e
bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 për të marrë kontrollin e
ish-provincës nga Beogradi. Kosova paralajmëroi se heqja e memorialit
mund të dëmtojë ndërmjetësimin nga BE të bisedimeve midis saj dhe
Serbisë, që synojnë normalizimin e marrëdhënieve. Bisedimet janë çelësi
për ofertën e Serbisë, për t’u bashkuar me BE-në. Të hënën, autoritetet
në Kosovë thanë se rreth 60 varre ishin rrënuar në varrezat serbe në
qytetin perëndimor të Prizrenit dhe pjesën lindore të fshatit Kllokot.
“Le Monde”
Kurse gazeta numër një në Francë, “Le Monde” me titullin “Një
monument në Preshevë, që kërcënon përpjekjet për dialog mes Serbisë dhe
Kosovës (“Un monument a Presevo qui menace les efforts de dialogue entre
la Serbie et le Kosovo”) e nis kështu artikullin: “Në Ballkanin
Perëndimor, një ndryshim simbolik mund të marrë shumë shpejt përmasa të
rrezikshme. Një monument i vënë në nëntor të 2012 përpara bashkisë së
Preshevës, në kujtim të luftëtarëve shqiptarë, ka provokuar zemërimin e
Beogradit. Qeveria serbe ka kërkuar zhvendosjen e tij, duke përdorur
forcën. Kanë refuzuar përfaqësuesit lokalë për çështje parimore”.
E më tej, duke përshkruar historikun gjerë e gjatë të protestës, por
dhe Preshevës para dhe pas luftës, shtojnë se “kancelaritë europiane e
kanë cilësuar një çështje të brendshme të Serbisë, por sipas një burimi
europian të gazetës, autoritetet e Beogradit në vend ta hiqnin me forcë,
ndoshta duhet ta kishin zgjidhur çështjen nëpërmjet drejtësisë.
Më
tej gazeta hidhet tek çështja e Kosovës dhe duke iu referuar burimeve
europiane diplomatike ngrë pyetjen: Shtet i pavarur i Kosovës, apo një
Kosovë gjithmonë e lidhur me Serbinë? Sipas Le Monde, Mitrovica e Veriut
është një “det i helmatisur” në krahinë, por askush nuk merr rrezikun e
një modifikimi të kufijve, një rrugë tepër e rrezikshme në Ballkanin
Perëndimor”.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.