A do të ketë koalicion me Berishën? LSI kërkesë KQZ për regjistrim, PS mbledh kryesinë dhe cakton emrat për 6 bashkitë

Lëvizja Socialiste për Integrim ka depozituar kërkesën në KQZ për t’u regjistruar në zgjedhjet e 6 marsit pëër gjashtë bashkisë Shkodër, Durrës, Lushnjë, Rrogozhinë, Dibër dhe Vorë.
LSI është kështu partia e tretë që regjistrohet në këto zgjedhje, ndërsa PS dhe PD u regjistruan më 25 janar. Tashmë zyrtarisht kemi tre partitë kryesore të regjistruara për këto zgjedhje të pjesshme dhe se pritet se do të veprojë grupimi Berisha, pasi KQZ ka njohur PD-në e Bashës si zyrtare.
Nëse nuk do të dalin me kandidatë të pavarur, përflitet një variant që disa prej kandidatëve në këto bashki mund të dalin në siglën e LSI-së. Gjithsesi kjo pritet të shihet më tej se çfarë strategjie do të ndjekë Berisha, i cili më 30 janar do të zhvillojë primaret për zgjedhjen e kandidatëve nga anëtarësia.
PS mbledh Kryesinë
Pasditen e sotme mësohet se Rama do të mbledhë kryesinë e PS-së për të caktuar 6 kandidatët e kësaj force politike që do të konkurrojnë për zgjedhjet e pjesshme.
Pritet që pas mbledhjes së sotme PS-ja të publikojë edhe emrat e kandidatëve, që do të garojë për kryebashkiakë në zgjedhjet e 6 marsit. Për Shkodrën e Durrësit pritet të jenë Majlinda Angoni dhe Emirjana Sako. Ndërsa për Dibrën përflitet një bankier.
Mandati i kryebashkiakëve të dalë nga zgjedhjet e 6 marsit do të jetë i kufizuar njëvjeçar, pasi në 2023 do të zhvillohen votimet në të 61 bashkitë.