Zgjedhjet e pjesshme/ Pse kaq “shumë hezitim” nga PS për Bashkinë e Lushnjes?

Partitë politike në Shqipëri janë nën ethet e zgjedhjeve të pjesshme që janë parashikuar të mbahen më 6 mars në të gjithë vendin.

Në këto zgjedhje pritet të marrin pjesë vetëm 6 bashki, të cilat janë pa kryetar ose me një kryetar të komanduar deri në zgjedhjen e kryetarit legjitim.

Ditën e sotme, në një mbledhje prej thuajse 60 minutash, Kryesia e Partisë Socialiste vendosi se cilët do të ishin emrat zyrtar të kësaj force politike për të garuar në zgjedhjet e pjesshme që pritet të mbahen më 6 mars.

Në fjalën e tij para mediave, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri është shprehur se të gjithë kandidatët janë figura të pastra dhe se qëllimi është marrja e të 6 bashkive.

“Janë figura të pastra politike.Jemi të gatshëm të hyjmë në zgjedhje me kandidaturat tona më të mirë dhe pse jo të fitojmë. Është një moment i mirë t’i marrim të 6 bashkitë.”- ka thënë Gjiknuri në dajen e tij para mediave.

Ndërkohë që 5 kandidaturat e Partisë Socialiste janë konfirmuar menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë, Bashkia e Lushnjes mbetet ende një mister.

Drejtuesi politik i qarkut Fier, Taulant Balla tha se ende nuk ka një emër konktret për Bashkinë Lushnje, teksa ka lënë pezull të gjitha mediat deri më datë 1 shkurt, ku sipas tij do të jepet dhe konfirmimi.

 “Të martën në mëngjes do ta keni emrin. Unë jam drejtues politik prej një kohe të shkurtër në Fier dhe do të dua që edhe ky element sociologjik të përdoret edhe në rastin në fjalë. Ka aq shumë kandidatë që kanë hyrë në këtë proces dhe që unë për të qenë i saktë, bashkë me kryesinë e partisë kemi vendosur të përdorim edhe këtë element.

Nuk u përmbyll dot sot, kjo tregon se ky proces nuk është fake, por i vërtetë. Kryetari i ri i bashkisë Lushnje do të jetë një person që ka përgatitjen e duhur për të çuar përpara projekte të mëdha. Kjo zonë është “hambari” i Shqipërisë. PS garon për t’i fituar të gjashta bashkitë” tha Balla në daljen e tij publike.

Aktualisht Bashkia e Lushnjes është duke u drejtuar nga nënkryetarja Eriselda Sefa e cila ka marrë detyrën me 29 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim më 16 korrik të 2021.

Sefa zëvendëson në këtë detyrë Fatos Tushen. Ky i fundit u shkarkua nga detyra nga kryeministri Edi Rama, pas arrestimit me akuzën e abuzimit me tenderin 240 milionë lekësh të kanalit vaditës të dy fshatrave.

Edhe pse është përfolur që Sefa, e cila drejton aktualisht Bashkinë e Lushnjes, mund të jetë një ndër emrat e propozuar në tavolinën e diskutimeve të Partisë Socialiste, Balla nuk ka zgjedhur të komentoj asgjë duke ia lënë në dorë 1 shkurtit dhe zyrtarizimit që pritet të bëhet, pa hedhur kështu asnjë hije dyshimi.

Ndërkohë më poshtë do të listojmë 5 emrat e kandidatëve që pritet të përfaqësojnë PS në zgjedhjet e pjesshme, bashkëshoqëruar me vakancat:

1. Bashkia e Shkodrës: Majlinda Angnoni

2. Bashkia Dibër: Rahim Spahiu

3. Bashkia Vorë: Blerim Shera

4. Bashkia Rrogozhinë: Edison Memolla

5. Bashkia Durrës: Emiriana Sako

VAKANCAT NË BASHKI

1. Valdrin Pjetri, Shkodra, për shkak të dekriminalizimit

2. Valbona Sako, Durrës, për shkak të dorëheqjes

3. Agim Kajmaku, Vorë, për shkak të dekriminalizimit

4. Dionis Imeraj, Dibër, kandidoi për deputet

5. Haxhi Memolla, Rrogozhinë, ndahet nga jeta

6. Fatos Tushe, Lushnje, për korrupsion

Back to top button
LAJMET E FUNDIT