Nga buzuqet greke tek sherri me doganierin. Si ja punuam Azem Hajdarit bashkë me Filip Çakulin pasi donte të prangoste një ish të përndjekur

Nga Mitro Çela
Të tre në Greqi. Azemi ishte kryetar delegacioni dhe shofer. Pretendonte se e ngiste më mirë makinën se Filipi.
Në Athinë na u bënë nderet maksimale, fjetëm në hotel me pesë cepa (Hilton), vizituam dy-tre buzukë, na priti ministri i Jashtëm Samaraj.
Në kthim, pasi kaluam Janinën qëndruam në Kakavijë. Pasi hodhi një vështrim në godinën e doganës, Filipi tha:
– Ne Azem, jemi udhëheqës. Shiko Flamurin! I grisur. Copë-copë. Nuk e lëviz as era. Turp për qeverinë tonë demokratike! Në kohën e Enverit, flamuri valëvitej krenar?!
Na merr inat i uruari Azem! Ishte i prerë për çështje kombëtare! I sulet shefit të policisë, drejtorit të doganave, këdo që i doli përpara…
-Nëse nuk këmbehet flamuri për 14 orë, të gjithë jeni të pushuar në vend…
Pas këtij akti revolucionar, morëm rrugën drejt Gjirokastrës. Në atë mot, ende greku nuk e kishte bërë autostradën. Rruga ishte e ngushtë. Gropat nuk lejonin të shihej asfalti.
Duke ecur, përpara u shfaq një makinë. Në timon një djalë 12-13 vjeç. Në krah i rrinte një polic me mustaqe.
Azemi tentoi ta parakalonte. Djalka i bënte dredha.
Dhe kujt: heroit të demokracisë! Më në fund, kur inati i Azemit kishte arritur në zenit, falë edhe këshillave gjithë lezet të Filipit, e parakaluam makinën.
Qëndruam. Nga makina doli polici dhe djali shofer. Polici ishte bërë karroqe. Në atë mot më shumë faj kishte cilësia e pijes, se sa doza që pinin pijetarët.
– Dy herë faj, – ulëriti Azemi. – Ke pirë në detyrë. Ja ke lënë timonin një fëmije?!
– Të kërkoj ndjesë zoti ministër, – tha polici.
– Nuk jam ministër. Jam Azem Hajdari! Nuk ke bërë gabim. Faj. Faj të rëndë. Kush bën faj dënohet.
– Ashtu, – tha polici. Po me çfarë dënimi?
– Prangat, janë pak! Filip: vuri prangat këtij maskarai që militon në radhët e policisë sonë demokratike?!
– Nuk ka problem, – tha polici duke iu marrë goja. – Unë nga burgu kam ardhur! Kam qenë i dënuar për politikë…
Me të thënë këto fjalë, kryqëzoi duart dhe i drejtoi nga Filipi.
– Azem! Nuk kam më pranga. Ato që kisha i “shpenzova” rrugës. Le ta falim mavrinë!
– Skuth! Gjithmonë ma dhjet muhabetin, – tha Azemi që tashmë, vendin e mërisë e kishte zënë e qeshura me lot…