Shkarkimi/ Gjykata nis shqyrtimin, lëvizja e Metës para gjyqtarëve: Disa anëtarë janë…

Ka nisur në Gjykatën Kushtetuese seanca e shqyrtimit të kërkesës së Parlamentit për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Ashtu siç pritej, këshilltarët e presidentit kanë paraqitur kërkesat e tyre që kanë si thelb të vendosin në dyshim këtë institucion, duke përgatitur skenarin që nuk e njeh këtë vendim.
Këshilltari i presidentit, Bledar Dervishaj në seancën e sotme u shpreh se “Ekzistojnë disa shkaqe që vendosin në dyshimin paanshmërinë e gjyqtarëve”.
“Çështja është paraqitur në qershor 2021 e po shqyrtohet vetëm në shkurt 2022. Kërkesa lidhet me anëtarët e trupës gjykuese, pasi ka shkaqe që i bën ata të njëanshëm në shqyrtimin e kërkesës”- është shprehur gjatë seancës, këshilltari ligjor i Presidentit.
Sipas Dervishajt ka shkaqe papajtueshmërie për Vitore Tushen, sepse ka 5 vite me mandat të përfunduar.
“Kërkojmë që anëtarët e kushtetueses të vlerësojnë nëse janë ose jo përpara rasteve që duhet të heqin dorë nga shqyrtimi i çështjes. Për disa nga anëtarët kemi zbuluar vetëm ditën e djeshme disa shkaqe që i bëjnë të papajtueshëm dhe në konflikt interesi. Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese ka hyrë ne vitin e 5 me mandat të përfunduar. Ndërsa për dy anëtarë të tjerë është deklaruar përfundimi i mandatit. Presidenti ka vite që denoncon hapur kapjen e drejtësisë, por sot ka të drejtë të gjykohet nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme” tha ai ndërsa solli në vëmendje edhe sulmet e kryeministrit sipas tij në adresë të Kreut të Shtetit.
Vetë Presidenti Ilir Meta nuk ka marrë pjesë në seancën e sotme gjyqësore. Kreu i shtetit përfaqësohet në këtë seancë nga këshilltari i tij Ligjor, Bledar Dervishaj dhe Drejtoresha Juridike, Katrin Treska.