Balla në Kushtetuese: Ja pse duhet të shkarkohet Ilir Meta si president

Përfaqësues të mazhorancës kanë qenë të pranishëm në seancën e gjykatës Kushtetuese ku është shqyrtuar kërkesa për shkarkimin e presidentit.
Në seancën ishte i pranishëm kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla dhe kryetarja e komisionit hetimor për shkarkimin e Metës, socialistja Klotilda Bushka.
Si përfaqësues i Kuvendit, Balla argumentoi vendimin për shkarkimin e Metës nga detyra. Sipas tij, Meta ka kryer aktivitet politik dhe ka dëmtuar imazhin e vendit.
“Meta ka kryer aktivitet politik. Meta dëmtoi imazhin e Shqipërisë. Ky është procesi i parë në histori, që gjykohet një president. Procedura e shkarkimit është e nevojshme për shkak të barazisë së të gjithëve para ligjit. Mbështeti forca të tjera politike, nxiti dhunë dhe sulmoi institucionet kushtetuese. Vënia në lëvizje e kësaj strukture për shkarkimin e Presidentit nuk është problematike. Presidenti ka funksion mbi palët, por mori pjesë aktive në zgjedhje. Kuvendi nuk synon të ndëshkojë presidentin apo pozicionin, por personin që kreu shkeljen. A mundet ta për përfaqësojë unitetin e popullit një president shfaqet palë, nxit dhunë, ndikon në vendimmarrjen e institucioneve, sulmon gjykatën kushtetuese. Kushtetuta parashikon që Presidenti të përfaqësojë unitetin e popullit”, tha Balla.
Në qershor të vitit të kaluar, 104 deputetë votuan pro shkarkimit të Presidentit Meta. Mazhoranca socialiste e fajëson atë për deklarata publike para dhe gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare, të cilat sipas socialisteve kanë shkelur Kushtetutën.
Votimi u bazua në gjetjet e raportit të hartuar nga komision hetimor i ngritur për të hetuar qëndrimin e Presidentit Meta para dhe gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare 2021.
Meta e ka konsideruar të paligjshëm vendimin për shkarkimin e tij. Por përmes një postimi në faqen e vet në Facebook mëngjesin e sotëm, kreu i shtetit lajmëroi se avokatët e tij do të paraqiten në seancën e Gjykatës Kushtetuese ku pritet të shqyrtohet kërkesa e Parlamentit.