Zbulohet plani i Rusisë, video false me “viktima” si pretekst për të sulmuar Ukrainën

Shtetet e Bashkuara thonë se kanë arritur të zbulojnë planin e Rusisë për të fabrikuar një pretekst që të pushtojnë Ukrainën, këtë herë duke përgatitur një video false të një sulmi ndaj ushtrisë ruse.

Një zyrtar i lartë amerikan tha për CNN se SHBA ka informacion nga inteligjenca që sugjeron se qeveria ruse me ndihmën e shërbimeve sekrete ruse, ka planifikuar prodhimin e një video propagandistike me skena të rënda të një “shpërthimi të inskenuar, me trupa të pajetë, aktorë në rolin e vajtuesve dhe pamje të vendeve të shkatërruara dhe të ushtrisë ruse të goditur nga ky sulm fals”.

SHBA beson se mjetet ushtarake të përdorura nga Rusia në këtë video të fabrikuar do të bëhen që të duken sikur janë të Ukrainës apo të një shteti aleat. Zyrtari tha se video do të përmbajë edhe dronë Bayraktar, me të cilat Turqia është duke furnizuar Ukrainën.  Kjo do të bëhet në mënyrë që të implikohet edhe NATO në sulm.

Sulmi i rremë do të bëhet në një territor sovran rus dhe ndaj popullsisë rusisht-folëse, tha zyrtari amerikan, dhe do të publikohet për të theksuar rrezikun ndaj sigurisë ruse si dhe për të justifikuar sulmet.

Video, nëse publikohet, do të jetë shkëndija që i nevojitet Putinit për të nisur dhe justifikuar operacionet ushtarake kundër Ukrainës.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT