Shkarkimi i Metës? Gazetari zbulon si janë ndarë votat në Kushtetuese, po luftohet për…

Për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, Gjykatës Kushtetuese i duhen të paktën 5 anëtarë që të votojnë pro. Pra nga 7 që janë gjithsej, 5 prej tyre duhet të jenë pro cilësimit si fajtor të Metës për shkelje të rënda të Kushtetutës.

Gazetari Artan Hoxha shprehet se ka nisur një luftë e fortë mes mazhorancës socialiste dhe presidencës për të rrëmbyer anëtarët në pro dhe kundër.

Sipas tij, aktualisht katër anëtarë janë pro shkarkimit dhe dy kundër, ndërsa po luftohet për të pestin.

Brenda Gjykatës Kushtetuese ka një lojë të fortë mes presidencës dhe mazhorancës socialiste, për të fituar një votë, që do të çonte në shkarkimin ose jo të presidentit Ilir Meta.

Hoxha tha në emisionin “Opinion”, se do të duhen pesë vota pro që Meta të shkarkohet, duke mos i zbuluar emrat anëtarëve të Kushtetueses.

“Si është balanca e forcave në Kushtetuese. Nga 9 gjyqtarë sot janë 7 në detyrë. Nga këta 7 duhen 5 për ta shkarkuar. Deri tani rezultati aty brenda është katër me dy. Dy janë për të mos e shkarkuar dhe katër janë për ta shkarkuar. Tani varet te ai i pesti.

Dhe unë besoj që juristët e presidencës do ta shtyjnë sepse po luhet për një, nëse ai një shkon në pesë, presidenti shkarkohet. Në votim duhet të jenë të paktën gjashtë dhe pesë duhet të votojnë pro që ai të shkarkohet. Nuk dua ta them se kush është ai. Presidenti ka folur vetë, dhe ka treguar mbështetjen për dy. Maxhoranca do tentojë për pesë. Ka shkuar si luftë futbolli”, deklaroi gazetari Hoxha.

Presidenti më herët ka anatemuar disa gjyqtarë të Kushtetutës, duke kërkuar që të mos jenë pjesë e këtij shqyrtimi për shkak të konfliktit të interesi apo se iu ka mbaruar mandati, por kjo gjykatë ia ka rrëzuar pretendimet. Edhe dje Meta hapi garën për vendin e krijuar vakant të anëtarit Përparim Kalo, i cili është edhe relatori i kësaj çështjeje.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT