Prishtina rimblodhi mbi njëqind studiues të shqipes

Më shumë se njëqind studiues të albanologjisë e të kulturës shqiptare janë mbledhur në kryeqytetin e Kosovës.

Seminari XXXI për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është bërë arsye që ata që merren me trashëgiminë dhe krijimtarinë shpirtërore të popullit shqiptar dhe të shpalosin kumtesat e tyre para kolegëve në Kosovë.

“Maratona” trembëdhjetëditëshe e aktivitetit më të madh të albanologjisë në vend ka nisur sot, ndërsa drejtori i seminarit, Bardh Rugova, ka thënë se në kuadër të sesioneve shkencore, që organizon seminari çdo vit, këtë herë vëmendja më e madhe do t’i kushtohet përvjetorit të 100-të të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

Organizatorët e seminarit për Gjuhën, Letërsinë e Kulturën Shqiptare po ashtu janë kujdesur që të nderojnë poetin e ndjerë, Ali Podrimja.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, Ramë Buja, i cili mori pjesë në hapjen e punimeve të Seminarit të 31-të ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, duke folur për historikun e seminarit, me fokus vitet nëntëdhjeta, tha: “Seminari ndërkombëtar i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, ndonëse kishte rënie në vitet 90- ta, ishte institucioni që mbajti gjallë kulturën dhe traditën kombëtare”.

Sipas tij, kjo u bë përmes njerëzve, miqve e dashamirëve të albanologjisë, që erdhën këtu e që ishin ambasadorët më kuptimplotë për të bartur atë që duhej bartur dhe pasqyruar, përmes portës së madhe të kulturës , për t`na njohur kush ishim, çfarë bëjmë dhe ku synojmë.

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
             Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT