Rama vizitë në SHBA, para nisjes takim “kokë më kokë” me Yuri Kim, çfarë u diskutua?

Kryeministri Edi Rama pritet që të niset ditën e sotme për një vizitë zyrtare në Shtetet e bashkuara të Amerikës, por para nisjes mësohet se ai ka zhvilluar një takim me ambasadoren amerikane në vend Yuri Kim.

Lajmi bëhet i ditur përmes një njoftimi, teksa ambasada bën me dije se Kim është takuar me Ramën ku situata në Ukrainë ka qenë një ndër temat e diskutimit.

Nga ana tjetër ambasadorja ka nënvizuar se lufta kundër korrupsionit është prioritet kryesor për Shtetet e Bashkuara, duke vërejtur se barra e përgjegjësisë është natyrshëm më e madhe mbi ata që qeverisin.

“Ambasadorja Kim u takua sot me kryeministrin Rama përpara vizitës së tij në Uashington DC. Ajo përshëndeti mbështetjen e fortë dhe parimore të Shqipërisë për Ukrainën përballë agresionit rus, qoftë si aleate e NATO-s ashtu edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku SHBA-të janë krenare që do të punojnë me Shqipërinë si “bashkë-penëmbajtëse” për Këshillin në çështjet e Ukrainës. Ambasadorja Kim nënvizoi se lufta kundër korrupsionit është prioritet kryesor për Shtetet e Bashkuara, duke vërejtur se barra e përgjegjësisë është natyrshëm më e madhe mbi ata që qeverisin. Ata biseduan gjithashtu mbi rëndësinë e forcimit të institucioneve demokratike, përparimin historik në forcimin e marrëdhënies sonë në mbrojtje, dhe hapat e mëtejshëm për të rritur tregtinë dhe investimet midis SHBA-së dhe Shqipërisë“, thuhet në njoftimin zyrtar./ Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT