Basha jep llogari tek prokurorët belgë për “Toyota Yaris”/ Çfarë tha pas 2 orësh brenda në SPAK

Lulzim Basha foli për mediat pasi doli nga dyert e SPAK, ku është pyetur nga prokurorët belgë për çështjen e “Toyota Yaris”.
Basha tha se është i hapur të bashkëpunojë me drejtësinë për të gjithë çështjet dhe tha se PD është zotuar të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Kreu demokrat i bëri apel më tej punonjësve të SPAK dhe BKH të hetojnë dhe luftojnë krimin e të gjitha formave.
‘Çështja në Belgjikë nuk është mbyllur, siç ka ndodhur me çështjen këtu. Paratë e konfiskuara mbeten të konfiskuara. Hetimi në Belgjikë vazhdon dhe ata janë të angazhuar ta dërgojnë deri në fund.
Në këtë kuadër, do të bashkëpunoj me drejtësinë belge dhe të çdo vendi partner në luftën ndaj korrupsionit. E bëj këtë me vetëdijen që ky është një mision që i përket PD, në emër të gjithë shqiptarëve. Ky është proces që bëhet, por të tillë ka të shumtë, krimi i organizuar është problem i madh.
Një gjë dua t’i siguroj të gjithë shqiptarët, unë dhe PD jo vetëm jemi në dispozicion të drejtësisë belge, por të drejtësisë në tërësi dhe do të vazhdoj të jemi kundër krimit të organizuar, duan apo nuk duan të korruptuarit, non gratat e shpallur e të pa shpallur.
Çështja është mbyllur. Janë ndarë paratë mes politikanëve të korruptuar. Paratë janë konfiskuar, procesi vijon në Belgjikë dhe kanë mbështetjen tonë të plotë. Punonjësit e ndershëm të SPAK dhe BKH kanë mbështetjen tonë në këtë luftë. Ata s’janë vartësit e askujt përveç ligjit dhe taksapaguesve shqiptarë”, tha Basha.