(VIDEO) Vettingu, një komplot mafioz/ Si ndryshoi qëndrim Lulzim Basha: Sot jep votën pro reformës në drejtësi

Partia Demokratike e përfaqësuar nga Lulzim Basha ka bërë një tërheqje të fortë sot, duke pranuar që të votojë pro zgjatjes së afateve të organeve të vettingut të reformës në drejtësi. Votat e deputetëve të PD-së do të jenë pro ndryshimit të Kushtetutës duke arritur shifrën e 93 votave për ndryshuar ligjin themeltar të shtetit.

Ky është një qëndrim i ri i Bashës, i cili i ndikuar nga ultimatumi i fortë i ndërkombëtarëve, ka vendosur që ta japë votën pro, ndërsa si konsensus do t’i hapet rruga reformës zgjedhore dhe asaj territoriale.

Por pesë vite më parë, Basha si kryetar i PD-së,do ta cilësonte vettingun si një komplot mafioz i ndërkombëtarëve dhe i rivalit të tij politik, Edi Ramës.

Nga çadra ku kishte ngritur protestën përpara Kryeministrisë dhe kishte bojkotuar Parlamentin, Basha nuk do të linte pa sulmuar as ndërkombëtarët.

“Edi Rama komploti është zbuluar. Projekti i vettingut është një projekt mafioz ku janë përfshirë diplomatë të lartë në Tiranë për llogari të Edi Ramës, kanë marrë peng ekspertë të BE-së. Bashkëkomplotistët e t’u janë dekonspiruar dhe i pret gjykimi në institucionet ndërkombëtare. Të pranojnë shqiptarët që të shkojnë në zgjedhje me Kryeministrin komandant të ushtrisë së drogës? Kurrë nuk do ta pranojnë. Prandaj miku ynë Knut (Fleckenstein) një të vërtetë ka thënë; asgjë nuk ka të përbashkët me situatën në Maqedoni para zgjedhjeve, sepse këtu është 10, 100 herë më keq”, do të deklaronte kreu i PD në prillin e 2017-ës.

Sot pas disa vitesh komploti mafioz është harruar dhe Basha , pas mbledhjes së grupit të PD-së, u shpreh se do të votonte pro zgjatjes së afateve të vettingut, me qëllim për të mos lënë jashtë ndërkombëtarët nga monitorimi i procesit të reformës në drejtësi.

“Ne nuk i japim votë Partisë Socialiste. Partia Socialiste sot donte që vettingu t’i kalonte KLP-së dhe KLGJ-së, ku Edi Rama, Ëngjëll Agaçi dhe të tjerë krerë të Partisë Socialiste kontrollojnë KLP-në dhe KLGJ-në në shumicë. Le t’i themi shqiptarëve të vërtetat. Çlirohuni edhe ju si media, siç jemi çliruar ne si demokratë, unë si kryetar i Partisë Demokratike. KLGJ-ja dhe KLP-ja, janë të kapura nga Partia Socialiste e Shqipërisë. Të paktën në rastin e vettingut sipas komisioneve, ndonëse dhe aty ndodhen pinjollë qeveritarë, ka një monitorim ndërkombëtar, ka të paktën dy anëtarë, njëri tashmë i pezulluar dhe tjetri para drejtësisë, ka një garanci më shumë. Është arsyeja për të cilën e kemi votuar para 5 vitesh, këtu nuk ka lajm, Në qoftë se doni të krijoni lajm aty ku nuk ka lajm, krijojeni”, u shpreh Basha.

Por ky qëndrim i kundërt u denoncua edhe nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili nga salla e Parlamentit nxori videon ku Basha denonconte komplotin për reformën në drejtësi, projektin mafioz.

“Këtu flitet për një proces që u përdor nga kreu i meduzës me Agaçin e tij, si armë e tmerrshme për gjahun e shtrigave. Ligjet e vettingut u votuan pa miratimin e PD-së siç kishim rënë dakord më herët. Juve ju kanë marrë peng. Nëse vazhdohet të mashtrohen qytetarët në mënyrën më të paskrupullt për një reformë që i privoi ata nga e drejta themelore e një procesi të drejtë, nëse vazhdohet të lyhen e të lëpihen dështime të tilla të tmerrshme, faturën e të cilëve e paguajnë qytetarët, nëse me fjalë të sipërfaqshme dhe me përdorim mikrofoni, ndërkohë që vazhdojnë marrëveshjet nën rrogoz mes kreut të Meduzës dhe Lul Bravës, kjo seancë duhet të ndërpritet menjëherë, sepse është një hipokrizi e madhe. Këtu flitet për një proces që u përdor nga kreu i Meduzës me Agaçin e tij si armë e tmerrshme. Kjo ka sjellë sot një katastrofë që do të paktën 20 vite për t’u riparuar.”, tha Berisha duke iu drejtuar deputetëve të PD-së./ Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT