Zgjatja e mandateve të Vetting-ut/ Yuri Kim dhe Soreca: Hap i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët

Deputetët e Kuvendit miratuan me 118 vota pro zgjatjen e madateve të vettingut. Fill pas këtij vendimi, ka reaguar Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca si dhe ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim në Twitter.
Soreca shprehet se kjo ishte një votë për të ardhmen e e Shqipërisë në BE, ndërsa shtoi se ky është një moment historik vendimtar drejt përfundimit të reformës në drejtësi.
“Sot Parlamenti tregoi vendosmëri të fortë ndërpartiake për të ecur përpara drejt anëtarësimit! Urime deputetëve të forcave politike që votuan sot për zgjatjen e vettingut, një moment historik vendimtar drejt përfundimit të reformës në drejtësi. Kjo ishte një votë për të ardhme ne Shqipërisë në BE.
E rëndësishme që organet e vettingut të vazhdojnë punën e tyre, me profesionalizëm dhe integritet më të lartë, për të siguruar një finalizim të suksesshëm dhe të shpejtë të procesit. Mirëpres vendimin e rëndësishëm të marra nga Kuvendi për propozimet e PD për komisionin e posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore , në përputhje me rekomandimet e OSBE, si dhe për reformën territoriale, duke ruajtur arritjet e arritura deri më tani”.
Nga ana tjetër, Yuri Kim u shpreh se ky është një hap i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët drejt një sistemi drejtësie më të fortë dhe më të besueshme drejt integrimit europian.
“Shtetet e Bashkuara përshëndesin miratimin e zgjatjes së mandatit të vettingut në Parlament. Ky është një hap i rëndësishëm përpara për të gjithë shqiptarët – drejt një sistemi drejtësie më të fortë, më të besueshëm dhe drejt integrimit evropian. SHBA do të mbështesë gjithmonë Shqipërinë në këtë rrugë të rëndësishme”, shkruan ambasada e SHBA.