Ryshfet në emër të familjes së Adem Jasharit!
Privatizuesit e një toke me vlerë prej një milionë e gjysmë euro, thonë se kanë paguar 200 mijë euro për blerjen e 91 hektarëve tokë. Këto para thonë se i kanë dhënë në emër të familjes së komandantit Adem Jashari.
Tre prej tyre thonë se këtë shumë ia kanë dhënë Hamdi Thaçit, kushëririt të Kryeministri Hashim Thaçi, dhe biznesmeni nga Drenasi, Bashkim Demaj.
“Koha Ditore” ka siguruar një videoincizim që zgjat 5 minuta e 46 sekonda, të bërë me telefon në maj të vitit 2009, në banesën e Zelqif Brakës në Prishtinë, në të cilin shihen duke numëruar 130 mijë euro para kesh. Numërimin e tyre e bëjnë Bekim Krasniqi nga Malisheva, Shkëlzen Zariqi nga Prishtina dhe Islam Musliu nga Podujeva. Në video shihen edhe Zelqif Braka nga Kaçaniku, i njohur si “Buqi”, si dhe vëllezërit Avdi e Veli Jakupi nga Suhareka, dhe familjarë të Zelqif Brakës, i cili prej kohësh ndodhet në burg.
Këto para thonë se i kanë dhënë ryshfet për privatizimin e 91 hektarëve tokë në Milloshevë të Obiliqit, në valën e 34-të të privatizimit. Toka është shitur për 1.5 milionë euro më 20 maj 2009.
Kjo tokë, pronë e “Muzakaj Sh.p.k.”, fillimisht është blerë Bekim Krasniqi nga Malisheva dhe Shkëlzen Zariqi nga Prishtina e Islam Musliu nga Podujeva. Dy të fundit thonë se janë mashtruar më vonë nga Bekim Krasniqi. Sipas tyre, ai ka lidhur kontrata me persona të tjerë, dhe se tashmë e ka shitur shumicën e tokës duke fituar shumëfishin.
“Bekim Krasniqi, pa investuar asnjë cent, ka arritur me mashtrime ta marr tokën”, ka thënë Shkëlzen Zariqi.
Ai ka konfirmuar se videoja është xhiruar në shtëpinë e Zelqif Brakës dhe se paratë nga ai dhe Braka u janë dhënë Hamdi Thaçit e Bashkim Demajt. Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe Islam Musliu nga Podujeva.
Bekim Jashari ka thënë se kjo nuk është hera e parë që dikush keqpërdor emrin e kësaj familje për përfitime personale.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.