Pas çerek shekulli/ Shkodra testi i bastionit të demokratëve, e djathta në udhëkryq

Historia ka ndodhur pikërisht 26 vite më parë, e protagonist ka qenë padyshim Sali Berisha. Në atë kohë Berisha ishte në pushtet dhe qeveriste me dorë të hekurt. Pikërisht në tetor të vitit të largët 1996, disa muaj pas zgjedhjeve problematike parlamentare të 26 majit, vendi u përfshi në zgjedhjet lokale.

Shkodra asaj kohe ishte pa asnjë mëdyshje për Berishën dhe PD  si bastioni i tyre dhe e konsideronin si të fituar, pra nuk e shihnin si një problem përballjen me socialistët që ishin në opozitë.

Asaj kohe një grup intelektualësh i trokitën në zyrë Berishës dhe i kërkuan që të ndryshonte kandidatin për kryetar bashkie Artur Luka të PD-së, pasi e cilëson si jo fituese. Berisha nuk pranoi dërgatën e intelektualëve të Shkodrës, duke ia refuzuar kërkesën. Kjo më pas solli një lëvizje të fortë brenda së djathtë në Shkodër. Partitë si Balli Kombëtar dhe e Legalitetit, së bashku me partitë e tjera Republikanët krijuan një front më vete, të quajtur “E Djathta e Bashkuar Shkodrane”, e ideatori i saj ishte Mentor Quku.

Lëvizja që krijoi një skepticizëm të madh në Tiranë, shumë shpejt do të forcohej dhe kandidati i saj Bahri Boriçi do të ishte surpriza e atyre zgjedhjeve lokale, duke tronditur Partinë Demokratike. Asaj kohe zgjedhjet lokale ishin me dy raunde. Boriçi doli në balotazh me kandidatin demokrat Luka.

Në raundin e dytë, natyrshëm votat e elektoratit socialist shkuan për kandidatin Boriçi, e kjo si logjikë politike për të ndëshkuar Berishën që e konsideronte Shkodrën bastionin e PD-së.

Sot e djathta sërish në udhëkryq

Sot pas më shumë se çerek shekulli, Shkodra po vihet përpara sprovës së radhës, ku kemi një betejë për bashkinë, por që është aq e ngjashme është dhe aq e ndryshme në kohë.

Sot kemi një Berishën që ka nxjerrë një kandidat të sajin, Bardh Spahinë, jashtë logos së PD-së. Nëse 26 vite më parë kishim një betejë mes elektoratit të djathtë, sot kemi një betejë mes vetë demokratëve, edhe pse tashmë partitë e Legalitetit apo dhe Ballit Kombëtar e kanë humbur fuqinë e dikurshme politike.

Sot kemi këtë përballje në Shkodër, ashtu si 26 vite më parë, Bardh Spahia nga “Shtëpia e Lirisë”, grupimi Berisha dhe LSI; Xhemal Bushati nga PD e Bashës dhe Majlinda Angoni nga Partia Socialiste.  Pra një e djathtë e përçarë sërish dhe me njerëz me dilema se për cilin kandidon do të votojnë.

Shkodranët ndodhen përballë një sfide të fortë, pasi vota e tyre mund të shihet edhe si një indikator për përplasjet brenda PD-së, aty ku lufta veç betejës ligjore për vulën e logon e PD-së do të shihet edhe se sa përkrahje kanë në elektoratin e djathtë. Berisha ia ka besuar Bardh Spahisë, njeriut që kur kandidoi si deputet, mori vota të konsiderueshme, dhe për pak vota nuk arriti të thyejë listën e Bashës në zgjedhjet e 25 prillit. PD e Bashës ka Xhemal Bushatin, një njeri me peshë politike lokale. Ndërsa Angoni e PS-së prefektja e Shkodrës tenton të përfitojë nga kjo përplasje mes demokratëve, pasi teoria kur dy vetë përplasen një i tretë fiton. PS mund ta fitojë bashkinë e Shkodrës kësaj here me një betejë me opozitën brenda në garë, por gjithsesi kjo do të varet se si do të anojnë votat.

Votat e 25 prillit

Përballë kësaj beteje lokale e rëndësishme kanë të bëjnë shifrat e votave që kanë partitë politike. Në rezultatin e 25 prillit  Partia Demokratike ka 29893 vota. PS ka marrë 15848 vota. Favori i PS-së është se tashmë me dy kandidatë demokratë pritet të ketë ndarje të votave, në mos përgjysmimin.

Grupimi  Berisha duhet të shpresojë te votat e LSI-së që në zgjedhjet e fundit parlamentare ka marrë 7880 vota.  Ndërsa PS-ja nga ana e saj, shpreson te vota që ka mbledhur Tom Doshi me PSD-në, 9808 që në zgjedhjet parlamentare mori dy deputetë. Shkodra tashmë shihet si testi politik i vërtetë i Berishës dhe Bashës, e kjo do të ndikojë edhe në fatin politik të PD-së, nëse do të bashkohet në një e vetme, apo do të kemi dy parti./ Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT