Kërkoi debat publik me kandidatët e tjerë, Kryemadhi mbështet “kushëririn”: E përshëndes propozimin e Premtim Kryemadhit, zgjidhni më të mirin e Dibrës

Kandidati i Shtëpisë së Lirisë për Bashkinë e Dibrës, Premtim Kryemadhi, ditën e sotme prezantoi platformën e tij përpara votuesve dibranë, teksa ftoi edhe kandidatët e tjerë që garojnë në zgjedhjet e 6 Marsit në një debat publik.

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka mbështetur propozimin e tij për një debat publik mes kandidatëve, teksa thotë se ky është një standard demokratik që i ka munguar prej vitesh kulturës së zgjedhjeve në Shqipëri.

Kujtojmë se Monika Kryemadhi dhe Premtim Kryemadhi janë nga i njëjti fis, ndërkohë që ka qenë LSI që i ka regjistruar në KQZ kandidatët e dalë nga “primaret” e zhvilluara nga Komisioni i Rithemelimit të PD-së.

Postimi i Monika Kryemadhit:

Për të mirën e Dibrës, zgjidhni alternativën më të mirë!

E përshëndes propozimin e z. Premtim Kryemadhi, kandidat i Shtëpisë së Lirisë për bashkinë Dibër, i cili krahas paraqitjes së një platforme për drejtimin e bashkisë, ka ftuar në debat publik kandidatët e tjerë që garojnë në zgjedhjet e 6 Marsit. Ky është një standard demokratik që i ka munguar prej vitesh kulturës së zgjedhjeve në Shqipëri. Ku garat elektorale më së shumti kanë shërbyer si një moment përbaltje, se sa përballje ofertash politike.

Presioni i administratës publike dhe paraja në zgjedhje, janë faktorë që krahas fitores së kandidatit që mbështetet nga këto fenomene, sjell edhe shkatërrimin e qytetit, monopolizimin e ekonomisë, rritjen e taksave që më pas shkojnë në koncesione dhe investime për të pasuruar ata që i hodhën paratë për të blerë vota.

6 Marsi është shans i ri për t’u shkëputur nga të tilla fenomene, që dosjet 184 dhe 339 vërtetuan se kishin ndodhur në Dibër dhe gjerësisht në Shqipëri.

Dibra dhe dibranët meritojnë transparencë!

Zgjidhni më të mirin e Dibrës në 6 Mars!

Back to top button
LAJMET E FUNDIT