Nga Skënderbeu te Bashkimi për Mesdheun, 100 vjetori i Pavarësisë festohet në Barcelonë
Ambasada e Shqipërisë në Madrid, së bashku me Institutin Europian të Mesdheut organizuan në Barcelonë disa veprimtari në kuadër të festimeve edhe jashtë Shqipërisë, të 100 vjetorit të Pavarësisë.
Këto veprimtari u mbështetën nga Sekretariati i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Katalunjas, si dhe nga bashkëpunimi me miken e njohur të Shqipërisë, koleksionisten e librave të moçëm për Skënderbeun, Patricia Nuxhi.
Gjatë tryezës së rrumbullakët me temë “Shqipëria dhe Mesdheu: Nga Skënderbeu tek Bashkimi Europian për Mesdheun”, Andreu Bassols, Drejtori i Institutit Europian të Mesdheut, vlerësoi lart organizimin e veprimtarive me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë si dhe lidhjet historike të Skënderbeut me Kurorën e Aragonës. Ai shprehu gjithashtu gatishmërinë për bashkëpunimin më të ngushtë edhe në të ardhmen midis institucioneve katalanase dhe atyre shqiptare në nivele akademike dhe shkencore duke vënë theksin tek një bashkëpunim midis Akademive Diplomatike të vendeve mesdhetare.
Studiuesi Albert Torra, zëvendësdrejtori i Arkivit të Kurorës së Aragonës u ndal në paraqitjen e dokumenteve origjinalë që ndodhen në Arkivin e Kurorës së Aragonës në Barcelonë duke folur për mitin e Skënderbeut që fillon nga fillimi i shekullit te 16-të dhe që vlerësohet si hero i Krishtërimit kundër otomanëve. Ai paraqiti mbi 40 dokumente të viteve 1447-1457 të cilat ruhen në arkivat katalanase duke u ndalur tek Traktati midis Skënderbeut dhe Alfonsit të V-të.
Ambasadori Manuel Montobio foli për përvojat e tij si ambasadori i parë i Spanjës në Shqipëri. Ndërsa tha se atë që bëri Skënderbeu nuk e bënë dot evropianët ai vlerësoi proçesin e tranzicionit në Shqipëri duke theksuar se reformat e ndërmarra në Shqipëri e kanë kthyer atë në një vend anëtar të NATOS dhe në proçes të integrimit europian.
Ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Spanjës, Kastriot Robo u ndal në mënyrë të veçantë tek vektorët ndërlidhës midis Shqipërisë, Spanjës, Katalunjës dhe Mesdheut duke theksuar se lidhjet historike të Skënderbeut me Kurorën e Aragonës sot po zgjerohen në të gjitha fushat me interes të përbashkët.
Ndërkaq në Sallën e Ekspozitave të Bibliotekës së Katalunjës u përurua Ekspozita me temë: ”Skënderbeu-Heroi, Miti” ku u paraqitën rreth 40 libra historikë origjinalë duke filluar nga libri i Marin Barletit botim i 1510 si dhe materiale arkivore të nxjerra nga Arkivi i kurorës së Aragonës.
Sekretari i Punëve të Jashtme të Qeverisë së Katalunjës Senen Florensa tha se librat e koleksionit të zonjës Patricia Nuxhi për Skënderbeun ia shtojnë vlerat këtij evenimenti ndërsa Drejtoresha e Bibliotekës së Katalunjës vlerësoi këto veprimtari që, sipas saj, me siguri do ja rrisin interesin vizitorëve dhe turistëve të shumtë.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në 22 korrik.
Në veprimtaritë për 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë në Barcelonë, veç autoriteteve të larta lokale, akademikëve dhe studiuesve vendas, anëtarëve të trupit konsullor të akredituar atje dhe qytetarëve të shumtë, morën pjesë edhe mjaft bashkëkombës.
Organizimi i këtyre veprimtarive pati një pasqyrim të gjerë në shtypin katalanas dhe atë kombëtar spanjoll.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.