100 vjet nga ngritja e flamurit në Vesekovc

Zyrtarë të institucioneve lokale dhe qendrore të Republikës së Kosovës, veprimtarë të çështjes kombëtare dhe mysafirë të shumtë nga të gjitha viset shqiptare, janë mbledhur të shtunën në majën e Vesekovcit në Shalën e Bajgorës, për të përkujtuar 100-vjetorin e Kuvendit të Kurillovës dhe ngritjes së flamurit kombëtar nga Isa Boletini. Kjo ngjarje u vlerësua si një moment historik jo vetëm për Kosovën, por për të gjitha trojet shqiptare.

Numri një i Mitrovicës, Avni Kastrati, i cili së bashku me homologët nga Vushtrria dhe Besiana ka organizuar këtë manifestim madhështor, ka thënë se është një emocion i jashtëzakonshëm që pas një shekulli, ne bashkëkombësit e Isa Boletinit, jemi në vendin ku ai dhe bashkëluftëtarët e tij ngritën flamurin kombëtar që shënoi edhe fillimin e kryengritjes popullore kundër perandorisë osmane në këtë pjesë të Kosovës.
Ai theksoi se ky manifestim përkon edhe me 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe për të qenë edhe më madhështor, ky përvjetor po shënohet në Kosovën e lirë dhe të pavarur, që ishte amanet i Isa Boletinit dhe bashkëluftëtarëve të tij.
“Ky amanet u përcoll nëpër breza. Për asnjë vit dhe për asnjë periudhë të vetme nuk pushuan përpjekjet për ta bërë të lirë këtë pjesë të hapësirës shqiptare që kishte mbetur e robëruar. Të rreshtuar pas flamurit kombëtar, djemtë e shqipes e sendërtuan me gjak lirinë dhe pavarësinë e kësaj cope të atdheut”, ka thënë Kastrati.
Ai potencoi se zjarrit të lirisë i dhanë flakë edhe një herë në fund të shekullit të kaluar djemtë dhe vajzat e rreshtuara në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës duke ndjekur rrugën e nisur nga Komandanti Legjendar, Adem Jashari.
“Sakrifica e tij bashkoi shqiptarët si asnjëherë më parë drejt plotësimit të amanetit të të parëve”, tha ai.
Kastrati theksoi se përmasat e kësaj ngjarjeje që po shënohet sot dhe atyre që sendërtuan atë, janë të mëdha sa vetë Shqipëria. “Isa Boletini me flamurin e pavarësisë rrugëtoi nga pika më veriore e trojeve shqiptare, deri në Vlorë, në skajin jugor të këtyre trojeve. Kjo është simbolika e vërtetë e atij momenti historik”, u shpreh Kastrati.
Në fund ai tha se ky është kuptimi esencial që është bartur nga ninullat e nënave dhe tyta e pushkëve të trimave, që kanë bashkëjetuar me porosinë e Isa Boletinit, i cili ndihej mirë vetëm atëherë kur ishte mirë Shqipëria.
Për figurën e Isa Boletinit ka folur edhe simboli i qëndresës, Adem Demaçi si dhe historianë nga Shqipëria dhe Kosova.
Në fund u shfaq një program artistik nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve të Mitrovicës dhe u zbulua pllaka që përkujton 30 qershorin e vitit 1912.

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
             Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT