100-vjetori, Akademia fton Kadarenë e Frashërin, ‘harrohet’ Qosja

Nga: FATMIRA NIKOLLI

TIRANË- 26 nëntori i këtij viti mbledh në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, emrat më të njohur të albanologjisë shqiptare me rastin e Akademisë Solemne që do të mbahet për nder të 100-vjetorit të Pavarësisë. Kristo Frashëri, Arben Puto, Ismail Kadare, Arbën Xhaferri, Françesko Altimari, Tito Johalas, Nikolla Pano, Pëllumb Xhufi, etj, do të jenë pjesë e kësaj akademie me referate që nxjerrin në pah ngjarjet para dhe pas Pavarësisë së vendit. Duke pasur parasysh se të gjithë këta emra kanë dhënë një kontribut të çmuar për studimet dhe letrat shqipe, duhet të vlerësojmë idenë e Akademisë së Shkencave për bashkimin e tyre në një sallë e në një ditë. Ajo çka na bën përshtypje është se nga Kosova, shteti i ‘dytë’ shqiptar, është ftuar kryetari i Akademisë së Shkencave Hivzi Islami, e deri këtu çdo është në rregull. Mëkati qëndron tek ata që nuk janë ftuar! Ftesa për këtë aktivitet nuk i ka shkuar akademikut të mirënjohur Rexhep Qosja, i cili është bërë i njohur dhe i mirënjohur pikërisht për shkak të kontributit që ka dhënë në albanologji. Ai është në Shqipëri emri më i njohur nga shqiptarët e Kosovës, pas Ibrahim Rugovës. Nënkryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Muzafer Korkuti, na dha përmes një interviste një panoramë të asaj çka pritet të ndodhë më 26 nëntor në Akademinë Solemne. Ai na përmendi emrat e të njohurve të ftuar, dhe interesimit tonë se kush merr pjesë nga Kosova ai u përgjigj: Hivzi Islami, duke mos u zgjatur në komente e sqarime të mëtejshme. 

I lindur në Vuthaj të Kelmendit, në Mal të Zi, Qosja për shumë vjet ka qenë drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Si një nga personalitetet më të shquara të kulturës dhe shkencës shqiptare është zgjedhur anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, si dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Në këto kushte, mosftesa e tij bëhet më e rëndë, sepse për Akademinë e Shkencave është disi e rëndë që të lërë jashtë anëtarin e saj të jashtëm. Në këtë pikë, duhet të kemi parasysh se për çështjen kombëtare shqiptare Rexhep Qosja ka botuar një numër veprash, në të cilat trajtohet me thellësi historia dhe strategjia e bashkimit kombëtar, rruga drejt lirisë dhe demokracisë. 

Atëherë çfarë ka ndodhur?! Ajo çka thuhet nën zë në Akademinë e Shkencave, është se Qosja nuk është ftuar për shkak se është treguar tejet kritik ndaj Kryeministrit shqiptar dhe politikës së tij të viteve të fundit, përmes esesh e artikujsh. Burime të gazetës kanë shtuar se nuk kanë dashur të krijojnë përplasje në një datë të tillë, ndaj pavarësisht këmbënguljes dhe shpresës së ndonjë akademiku për ta pasur edhe Rexhep Qosjen në këtë festë 100-vjetori, është parë e arsyeshme që ai të mos ftohet, çka bën në të vërtetë një turp për atë që e ka marrë këtë vendim! 

* * * 

Muzafer Korkuti, nënkryetar i Akademisë së Shkencave na bën me dije detajet e Akademisë Solemne, pa e fshehur entuziazmin për të ftuarit. 

Si do ta festojë Akademia e Shkencave të Shqipërisë 100 vjetorin e Pavarësisë së shtetit shqiptar? 
Kremtimi i 100-vjetorit është ngjarja më e madhe në planin shkencor. Përgatitjet për këtë datë kanë filluar që prej një viti e gjysmë dhe tani jemi në fazën e punës intensive për të kurorëzuar me sukses këto festime. Dy janë linjat e përgatitjes sonë: E para, botimi i disa monografive dhe e dyta, mbajtja me një nivel të lartë shkencor e një akademie solemne në prag të 100-vjetorit. 

Cilat janë këto botime? 

Deri tani ka dalë në qarkullim albumi fotografik kushtuar figurës së Ismail Qemalit, realizuar nga akademiku Kristo Frashëri, i cili është mirëpritur. Para disa ditësh është botuar edhe libri tjetër i Frashërit “Lidhja Shqiptare e Prizrenit, 1878-1881”, që është një variant i zgjeruar dhe i plotësuar i një botimi të kahershëm të akademikut. Libri e ezauron në mënyrën më të plotë këtë ngjarje të madhe, që i parapriu shpalljes së Pavarësisë. Ka shkuar në shtyp edhe botimi tjetër, po kaq i rëndësishëm i akademikut tjetër, Arben Puto, për Shqipërinë në periudhën 1912-1939, që është edhe ky, një botim i plotësuar dhe i zgjeruar. Kjo po financohet, jo me mundësitë e Akademisë, por në mënyra të tjera, me sponsorizim. Ka hyrë në proces edhe përgatitja e një libri tjetër, me autor Kristaq Priftin, “Popullsia e Kosovës në fund të shek.19 dhe fillim të shek.20”. Jemi në fazën e kërkimit të mjeteve për botimin e saj. Të gjithë këta plotësojnë kuadrin e ngjarjeve historike, e situatës ekonomike në Shqipërinë e kohës. Natyrisht, do të ketë edhe artikuj e shkrime të tjera, por këto janë monografi monumentale, të përgatitura nga akademikë që kanë dhjetëra vite që punojnë për to. 

Ndërkaq, do të ketë edhe një Akademisë Solemne për kremtimin e një shekulli Pavarësi. Kush do të marrë pjesë? 

Në të do të referojnë personalitete të shkencës të të gjithë trevës mbarëshqiptare, nga Kosova, Maqedonia, shqiptarë të diasporës në Amerikë edhe arbëreshët. Autorët që janë ftuar dhe kanë pranuar të marrin pjesë me referate në këtë veprimtari konkretisht janë: Nga pala shqiptare profesor Kristo Frashëri me “Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, fundi i një epokë të errët dhe fillimi i një epoke të re”; Profesor Arben Puto me “Koncerti europian dhe çështja shqiptare”, profesor Kristaq Prifti me “Pavarësia e Shqipërisë, vepër e mbarë kombit shqiptar”; Pëllumb Xhufi me “Elita të vjetra e të reja në prag të Pavarësisë”. Jemi të kënaqur që kanë dhënë miratim për të mbajtur referate në këtë Akademi Solemne edhe akademiku Ismail Kadare, profesor Arbën Xhaferri nga Maqedonia, profesor Françesko Altimari nga arbëreshët, Nikolla Pano – studiuesi i njohur nga SHBA, Mihal Shmit nga Gjermania, që ka shkruar për Shqipërinë e viteve 1930, Tito Johalas nga arvanitasit e Greqisë. 

Tito Johalasi, nuk e ka pranuar që është arvanitas… 

Ai e ka pranuar se është indoevropian dhe nuk ka rëndësi ajo. Nuk ka përse të theksohet sepse me veprat e tij në rreth 15 vëllime të arvanitasve. Ai ka vizituar dhe ka përmbledhur gjuhën e 2000 fshatrave, duke bërë kështu një punë madhore. Janë disa rrethana politike që nuk të lejojnë ndonjëherë të flasësh dhe duhet ta kuptojmë që nuk është e lehtë të flasësh për këtë shtresë të hershme shqiptare në Greqi. Vepra e tij flet, dhe s’ka nevojë për komente, dhe ajo është e paarritshme. Në këtë mënyrë, besoj se do të përgjithësohen të gjitha ngjarjet në prag të pavarësisë dhe shtetit shqiptar të pas pavarësisë, me referatet e disa prej figurave më të shquara që janë marrë për një kohë shumë të gjatë me studime në fushën e historisë. Kam besim se do të kemi përgjithësime me vlerë dhe thelbësore për këtë 100-vjetor, sepse figurat e ftuara për të folur janë të këtij niveli. 

Nga Kosova kush është ftuar? 
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Kosovës Hivzi Islami. 

Në çfarë date do të mbahet akademia? 

Akademia mbahet në datën 26 nëntor. 

Janë konfirmuar ftesat? 

Këta që përmendëm e kanë konfirmuar pjesëmarrjen, por nuk kanë përcaktuar të gjithë formulimin e titullit të referatit të tyre, por dihet sigurisht referati kuadër që ka të bëjë me 100-vjetorin dhe secili do të bazohet në këtë pikë. Kam bindjen se do të jetë e një niveli të lartë, nëse kemi parasysh emrat që marrin pjesë. Besoj se do të ketë nivelin që kanë pasur edhe konferenca të tjera albanologjike që janë mbajtur me rastin e 500-vjetorit të Skënderbeut, për shembull. Veprimtaria jonë do të kthehet në pikë referimi, sepse janë studiues që me veprat e tyre kanë treguar se bëjnë gjëra të mëdha. Referimet e plota do të përfshihen në një botim për këtë rast. Këtu është vlera e kësaj përpjekje që ka bërë kryesia e akademisë dhe unë personalisht, për të arritur më të mirën e asaj që kemi sot në albanologji. 

Priten “surpriza” nga referatet? 
Priten sinteza dhe përgjithësimet që bëhen mbas një pune shumë të gjatë, nga njerëz me kontribut të madh si Kristo Frashëri, Arben Puto, etj. Këta munden të përgjithësojnë ngjarjet e historisë sonë. Historia nuk ka më surpriza. Ju keni ndjekur botime të Putos apo Frashërit, ku ka përgjithësime që janë gur themelesh për shkrimin e historisë. Ata do të plotësojnë e të korrigjojnë ndonjë gjë. Ne kemi nevojë për figura të tilla që të japin mendime në fushën e historisë, sepse gjërat nuk bëhen me deklarata. Ndaj ishte një gjë e mirëpritur pjesëmarrja e akademikut Ismail Kadare. Nuk është rastësi që ai pranon të vijë, sepse është marrë me probleme të historisë së kombit shqiptar në librat e tij. Kadare ka një bagazh të tillë që do të përgjithësojë vlerat e kësaj kulture e të traditës sonë. 

A ka sensacione? Nuk flitet për sensacione, por siç thamë për përgjithësime të ngjarjeve historike në kapërcyell të shekullit të 19-të dhe fillimshekullit të 20-të që përbëjnë nyjet e historisë sonë kombëtare. Ata e kanë të përcaktuar boshtin e referateve të tyre që është pragu i Pavarësisë së shtetit dhe veprimtari e shtetit të parë të pavarur shqiptar, secili do të sjellë ndihmesën e vet të vyer në këtë përvjetor. 

Sa shkon shuma që iu duhet për botimet dhe aktivitetet e sivjetshme? 
Ne na duhen 10 milionë të reja dhe është shifër modeste. Kemi bërë kërkesën zyrtare para Komitetit Ndërministror që merret me aktivitetet për festimin e pavarësisë, përmes kryetarit të Akademisë sonë të Shkencave. I kemi çuar me shkrim dhe e kemi thënë edhe publikisht. 

Ju vetë si arkeolog, këtë vit, do të kontribuoni me ndonjë botim? 

Unë jam prehistorian dhe me rastin e 40-vjetorit të Akademisë së Shkencave që është në muajin tetor, shpresoj të bëjmë një aktivitet ku do të ftohen presidentët e akademive të Europës. Shpresojmë të gjejmë mbështetje financiare për të botuar një libër mbi historikun e Akademisë së Shkencave, që do të shtypet në gjuhë të huaj dhe të shpërndahet. Unë do të përmbledh gjithë artikujt e mi studimorë që kam botuar në revistat shkencore të huaja, në Europë e më gjerë. Ka vlerë sepse janë në gjuhë të huaj dhe interesi shkencor për arkeologjinë tonë është shumë i gjerë. Ky është kontributi im për 40-vjetorin e Akademisë së Shkencave. 

Mundesohet nga faqet ne facebook: ” Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut “ dhe ” Zgjohu Shqiptar !!! “ —> “Shperndaje”

Back to top button
LAJMET E FUNDIT