Polonia: Probabiliteti që Rusia të sulmojë Ukrainën “sot më i lartë se dje”

Kreu i Byrosë së Sigurisë Kombëtare të Polonisë, Pawel Soloch, ka deklaruar se qëllimi i Rusisë për të sulmuar Ukrainën është më i qartë se kurrë, pavarësisht se Moska tha se ka tërhequr disa nga trupat e saj nga kufiri.
“Probabiliteti që Rusia të sulmojë Ukrainën është më i lartë sot se dje. Raportet e fundit janë vërtet alarmante. Neve nuk na intereson nëse trupat tërhiqen ose jo. Ne po kërkojmë provat konkrete që ka njoftuar Rusia”, tha Soloch.
Ai tha se kanë dëgjuar se numri i njësive ushtarake ruse në rajon është rritur dhe se mund të ketë një sulm në drejtim të kryeqytetit Kiev nga rajonet Lugansk dhe Donbas. “Ai (sulm) po ashtu mund të jetë nga Odessa ose nga bregdeti. Rusia ka mjaft forca dhe është gati (për sulm). Skenari më i rrezikshëm është që kjo të ndodhë”, tha Soloch.
Rusia, e akuzuar për grumbullimin e mijëra trupave pranë kufirit me Ukrainën, ka njoftuar se disa nga ushtarët e saj janë larguar për në bazat e tyre pas përfundimit të stërvitjeve. Ajo po ashtu mohon përgatitjen për një sulm. Megjithatë, Perëndimi mbetet skeptik me zyrtarët që thonë se Rusia mund të sulmojë në çdo kohë.
Sot, Moska tha se SHBA dështoi të japë “një përgjigje konstruktive” për çështjet qendrore të tilla si ndalimi i zgjerimit të NATO-s drejt lindjes.