Hoxhaj: Serbia synon shpërnguljen e shqiptarëve
Kryediplomati kosovar Enver Hoxhaj |
Politika serbe e krijimit të frikës dhe pasigurisë ka për qëllim përfundimtar shpërnguljen sistematike të shqiptarëve nga Lugina e Preshevës, një zonë historikisht shqiptare.
Këtë deklaratë e ka bërë ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Enver Hoxhaj në një intervistë për revistën mujore “Shenja”, ku theksoi se Qeveria e Kosovës po vëzhgon dhe analizon me qetësi situatën e pas zgjedhjeve në Serbi.
“Së pari në tri komunat e veriut të Kosovës, strukturat ilegale, grupe kriminale, grupe paramilitare të sigurisë serbe janë mbetja e fundit, trashëgimi e drejtpërdrejt e regjimit të Millosheviçit. Ju e dini që struktura të tilla ka pasur edhe gjatë viteve të 90-ta në Kroaci dhe në Bosnjë. Nga ana tjetër, në Luginën e Preshevës format e ndryshme të diskriminimit politik, ekonomik, social dhe kulturor janë një vazhdimësi e politikës së Millosheviqit ndaj shqiptarëve. Kjo politikë e krijimit të frikës dhe të pasigurisë ka për qëllim përfundimtar shpërnguljen sistematike të shqiptarëve nga ajo zonë historikisht shqiptare”, theksoi Hoxhaj.
Kryediplomati kosovar nënvizoi se stabilizimi apo destabilizimi i kësaj pjese varet nga vetë institucionet në Beograd.
Sipas Hoxhaj referuar situatës shumë të rëndë në këtë pjesë dhe qasjen shumë agresive të bartësve të institucioneve në Serbi, duke krijuar perceptimin e armikut për popullatën shqiptare, “mendoj se çdo kush që merret me politikë në Serbi, Kosovë dhe në Bashkimin Evropian dhe më gjerë, duhet të jetë shumë i shqetësuar për atë se çfarë po ndodh atje. “Serbia si vend aspirant për anëtarësim në Bashkimin Evropian bën shkelje masive në formën më anti-evropiane të të drejtave të shqiptarëve atje. Gjatë muajit mars kur Këshilli Evropian në Bruksel do të duhej të vendoste për dhënien apo mosdhënien e statusit të kandidatit Serbisë, papritmas doli në sipërfaqe pozita diskriminuese e komunitetit vlleh që u ngrit nga Rumania. Po ashtu, trajtimi i hungarezëve apo edhe i myslimanëve në Sanxhak, që janë komunitete tradicionale në Serbi, është temë e diplomacisë evropiane. Prandaj, sikurse Serbia që interesohet për pakicat serbe jashtë territorit të shtetit serb, po ashtu është e obliguar të respektojë të drejtat e grupeve të tjera etnike brenda saj”, paralajmëroi ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës.
Kryediplomati kosovar Enver Hoxhaj u shpreh se zgjedhja e Tomisllav Nikoliç si President i Serbisë, do të jetë përcaktues për rrugën që do të ndjekë Serbia në të ardhmen, nëse do të jetë kjo një rrugë evropiane apo një rrugë anti-evropiane.
“Nikoliç bart në vete një trashëgimi shumë të rëndë të mendimit dhe të veprimit politik karshi Kosovës dhe rajonit. Askush më mirë sesa qytetarët e Kosovës, Bosnjës, Kroacisë dhe shteteve tjera nuk e dinë se çfarë do të thotë një Serbi anti-evropiane”, tha Hoxhaj.
Sipas tij thelbi i konflikteve në Ballkan ka qenë ideja serbe për të qenë hegjemoniste ndaj rajonit, dhe regjimi i Millosheviçit ka qenë forma më brutale e saj.
“Prandaj, sipas mendimit tim, është koha e fundit që Serbia mos të definojë interesin nacional të saj në kuptimin territorial, por në kuptimin e integrimit politik evropian dhe zhvillimin ekonomik”, tha Hoxhaj.
Duke i komentuar zhvillimet e fundit në tri komunat e veriut të Kosovës, ministri Hoxhaj nënvizoi se rreziku i ndarjes së Kosovës ka përfunduar me 25 korrik, me intervenimin e policisë së Kosovës në veri.
Ai theksoi se çdo përpjekje për të ndryshuar kufijtë, do të vinte në pikëpyetje gjithë arkitekturën e sigurisë në rajon.
“Nuk është pavarësia e Kosovës ajo që krijon perceptime të frikës në mesin e shteteve të botës, por është ndarja e hedhur si ide nga disa njerëz në Beograd që tmerron diplomacinë evropiane dhe më gjerë. Rreziku për ndarjen e Kosovës, përfundimisht, nuk është opsion, dhe kjo gjë është eliminuar njëherë e përgjithmonë më 25 korrik të vitit të kaluar, pas rivendosjes së institucioneve të Kosovës në pikat kufitare me Serbinë dhe pas marrëveshjes së arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për menaxhimin e integruar e kufijve”, u shpreh kryediplomati kosovar Enver Hoxhaj.
Mundesohet nga faqet ne facebook: ” Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut “ dhe ” Zgjohu Shqiptar !!! “ —> “Shperndaje”