Balla dy shkresa SPAK: Në ç’fazë janë hetimet për Berishën, djalin dhe dhëndrin e tij! Po për ish-ministrat Ruli, Bode dhe Imami

Kreu i grupit të PS Taulant Balla, i ka dërguar dy shkresa SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme, në lidhje me dy dosje të dërguara nga socialistët në organet e akuzës. Dosja e parë lidhet me privatizimin e CEZ dhe raporti për ndjekje penale përfshinë disa persona.
Dosja i është dërguar Prokurorisë së Përgjithshme në vitin 2016, pas punës së Komisionit Hetimor për privatizimin e CEZ, dhe të akuzuar janë shtetasit: Sali Berisha, Nuel Nik Kalaj, Genc Ruli, Ridvan Bode, anëtarët e Komisionit të Ofertave, Florion Mima, Enno Bozdo, Ledina Mandia, Shkëlzen Berisha, Bujar Nepravishta dhe Sokol Ramadani.


Ndërkohë, dosja e dytë lidhet me shitjen e ish-kompleksit “Partizani” ku është ndërtuar një kompleks pallatesh dhe Taulant Balla akuzon dhëndrin e ish-kryeministrit Berisha. Kallëzimi penal është bërë për shtetasit: Sali Berisha, Arben Imami, Jamarbër Malltezi, drejtues të Ushtrisë, etj.
Kreu i grupit të PS thotë se me anë të kësaj MEMO kërkon informacion se në çfarë gjendje apo shkallë procedimi janë kallëzimet.

