Serbia bën çmos për diasporën e saj, Shqipëria e Kosova nuk e vënë ujin në zjarr
Qasja e qeverisë për diasporën, si në Kosovë dhe në Shqipëri, ka qenë më shumë të marrin prej tyre se sa t’u japin apo t’u sigurojnë diçka atyre
Nga Lily Lynch dhe Linda Karadaku
SETimes
Së bashku me dallimet e gjera kulturore, anëtarët serbë dhe shqiptarë të komunitetit të diasporës përballen në përgjithësi me telashe të ndryshme nëse një krizë emergjente godet qindra apo mijëra kilometra larg nga shtëpia.
Ministria Serbe e Diasporës vlerëson se deri në 3,5 milionë serbë jetojnë jashtë vendit — dhe shumica jep kontribut të rëndësishëm për ekonominë e vendit.
Sipas statistikave të fundit nga Banka Botërore, Serbia është një nga vendet që marrin remitancat më të larta në Evropë. Është vlerësuar se diaspora transferoi 4,5 miliardë euro në Serbi në vitin 2010.
Kur autoritetet në SHBA morën dy fëmijët e vegjël të Vuk dhe Verica Nastic pas akuzave për abuzim në vitin 2010, çifti i bëri thirrje për ndihmë komunitetit të madh të serbëve që jetojnë në Shtetet e Bashkuara, si dhe njerëzve në vendin e tyre në Serbi.
Makth i Nastic filloi në Kaliforni, kur Vuk Nastic çoi kompjuterin në një dyqan riparim dhe një teknik gjeti fotot e dy fëmijëve të vegjël të çiftit në vaskë. Pronari i dyqanit njoftoi policinë, dhe punonjëset e agjencisë të Shërbimeve për Mbrojtjen e Fëmijës i larguan fëmijët nga shtëpia e tyre. Të akuzuar për neglizhencë dhe abuzim seksual, çifti deklaroi se ata ishin të pafajshëm për çdo keqbërje dhe ishin viktima të një keqkuptim kulturor.
Lajmi mbi problemet e familjes u përhap shpejt në të gjithë komunitetin e diasporës serbe në SHBA, dhe njëkohësisht mbërriti deri në Serbi, ku mbështetësit dolën në veprim. Serbët shpejt ngritën një grup në Facebook të quajtur “Le të ndihmojmë familjen Nastic të festojë Krishtlindjet me fëmijët e tyre.”
Tre psikologë në Serbi, Zoran Milivojeviç, Zharko Koraç dhe Zharko Trebjesanin, i shkruan një letër gjykatës në Kaliforni duke përshkruar dallimet kulturore midis Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara. Pastaj presidenti serb Boris Tadiç, psikolog nga profesioni, lëshoi një deklaratë të ngjashme në mbështetje të familjes, dhe u takua me ambasadorin e SHBA në Beograd për të diskutuar çështjen.
Në fund, nuk u ngritën akuza, dhe Nastic u ribashkuan me fëmijët e tyre. Ata ishin ndarë për tetë muaj.
Në Kosovën fqinje, faqja e lajmeve Telegrafi njoftoi se remitancat nga diaspora për vitin 2010 arritën në 511,6 milionë euro, dhe 30% e investimeve të huaja direkte vijnë nga diaspora. Megjithatë, qasja e qeverisë për diasporën, si në Kosovë dhe në Shqipëri, ka qenë më shumë të marrin prej tyre se sa t’u japin apo t’u sigurojnë diçka atyre.
“Ajo që ju e quani diasporë shërbehet në mënyrë të përsëritur dhe këmbëngulëse nga Shoqata Nënë Tereza e komunitetit shqiptar në Britani”, tha Esat Braçe, drejtori i shoqatës për SETimes.
Disa nga aktivitetet e saj kryesore janë mësimi i shqipes për fëmijët dhe konsultimi dhe mbështetja e komunitetit shqipfolës. “Ne kemi ndihmuar gratë që janë abuzuar në familje dhe kemi punuar kundër dhunës në familje. Kemi ndihmuar personat të cilët ishin në një gjendje të rëndë stresi dhe depresioni nga lufta në Kosovë”.
“Fatkeqësisht, duhet të themi se nuk kemi pasur asnjë mbështetje të ndonjë lloji [si nga Kosova apo Shqipëria] dhe madje edhe më keq, nuk ka asnjë shfaqje interesimi, të paktën zyrtarisht”, tha Braçe, duke shtuar se ata vazhdojnë të apelojnë te të dyja qeveritë për mbështetje.
Anton Qerimi, një shqiptar i Kosovës që jeton në Zvicër, thotë se diaspora më mirë u kërkon institucioneve zvicerane ndihmë se sa t’u kërkojë ambasadave të Kosovës apo Shqipërisë. Shoqata Nënë Tereza është aktive dhe atje. Komuniteti shqipfolës bazohet tek ajo shoqatë për të ndihmuar personat në nevojë dhe si një mjet komunikimi, duke e bërë atë një nga lidhjet më të rëndësishme.
Një degë e Shoqatës Nënë Tereza — Ndihmë për Varfrit — bazuar në Norvegji, zgjedh dy apo tre familjet më në nevojë dhe u siguron para nga donatorët.
Një tjetër shoqatë e quajtur Miqësia ndihmon rreth 5,000 emigrantë shqipfolës në Rimini, Itali. Ajo punon për t’i familjarizuar ata me ligjet italiane, dhe i ofron ndihmë praktike, të tilla si gjetja e një punë ose e një shtëpie.
Situata është e ndryshme në Serbi. Në nëntor 2009, parlamenti miratoi një ligj të ri për diasporën, duke theksuar “mbrojtjen e interesave të anëtarëve të diasporës dhe të drejtat ligjore jashtë vendit nëpërmjet shërbimeve konsullore dhe shërbimeve të tjera”.
Projektligji iu dërgua organizatave të ndryshme të diasporës, duke përfshirë edhe Kongresin e Unitetit Serb, për komente para miratimit.
Përveç institucioneve qeveritare që ofrojnë shërbime për serbët në krizë jashtë vendit, ministria e jashtme thotë se rreth 1500 organizata serbe të diasporës operojë në mbarë botën. Ndërkohë që shumë nga këto kryesisht merren me promovimin dhe mbrojtjen e kulturës serbe, shumë të tjera gjithashtu ofrojnë shërbime mbështetëse, duke përfshirë ndihmë për refugjatët.
*Titulli është redaksional. Titulli në origjinal: Diaspora serbe dhe shqiptare marrin nivele të ndryshme mbështetjeje
Mundesohet nga faqet ne facebook: ” Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut “ dhe ” Zgjohu Shqiptar !!! “ —> “Shperndaje”