O shkja, nuk ta fali kurrë Bujanocin

Nga Teuta Fazliu
U pikëllova shumë kur iu afrova qyetit tim Bujanocit, i kishte rënë një hije e zezë, ishte e njejta hije sikur e vitit 2000/2001 atëherë kur sapo përfundoi lufta e Kosovës, e filloi lufta në Luginë të Preshevës, kalonim një kufi e shumë post-blloqe derisa arrinim në fund të qytetin tim, xhandarmëria serbe na nxirrnin nga autobusi duke na kontrolluar valixhet, duke na nxjerr rrobat një nga një, duke na mbajtur automatikun prapa shpinës dhe duke na kërcënuar pse studionim në Prishtinë e jo në Beograd!!!

Ishte kohë e tmerrshme, vetë e kisha përjetuar atë ndjenjë të brishtë, ndërsa sot e ndjeva njësoj sikurse para një dekade atë hije të zezë, atë stuhi që i kishte rënë sot Luginës!

U ndjeva si e huaj në qytetin tim, u ndjeva si e huaj në shtëpinë time, nuk u ndjeva e sigurt në sheshin tim, nuk e pata atë gëzim të lirisë, e ndjeva që vinte erë baruti, erë gjaku, m’u duk i gjithë qyteti i përlotur.
Mjaft, o shkja!!!

Më vjen të bërtas e të më dëgjoj e gjithë bota duke i thënë shkjaut mjaft më, mjaft na përdhosët, mjaft na maltretuat, mjaft na dhunuat, na masakruat, u bënë 12 vjet nga lufta e Kosovës ti kurrë moj Serbi nuk u ndale, u bënë 10 vjet nga lufta e Luginës ti kurrë nuk u ndale duke u hakmarrë, deri kur do të jemi të maltretuar psiqikisht e fizikisht, mjaft më!

Gjithmonë kur më pyesnin njerëzit se nga vija, me krenari u thoja: “Jam nga Bujanoci”. Disa më shikonin me dhimbje e disa nuk e dinin as ku i bie Bujanoci, si duket është bërë trendi të jetojmë në zonat ku ka konflikte etnike dhe probleme politike. Që kur jam lindur e jam rritur në Bujanoc mbaj mend zhurmat e autoblindave të xhandarmërisë serbe, është bërë e zakonshme kjo zhurmë, të ndjek pas si një hije. Nganjëherë më duket si një vend i mallkuar por nganjëherë i falënderohem që nuk e kan lishuar vendin gjyshërit e stërgjyshërit tanë të cilët me shekuj jetuan në këto troje shqiptare, që na uzurpoi shkjau që nga Lufta e Dytë Botërore.

Në Bujanoc, mërzia më e madhe shkaktohet nga pamundësia për të dalluar njëmendësisht kufirin në mes të mundshmes dhe të pamundshmes. Ndërmjet reales dhe ireales, e vetmja ndarje që mund të shihet qartë tani për tani është kufiri Kosovë – Luginë.

Serbia çdo ditë mundohet të bëjë ndonjë incident ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, qëllimi i saj është të bëjë spastrim etnik në Bujanoci ashtu siç bëri në Komunën e Medvegjës ku atje tani vetëm 3 % e popullatës janë shqiptare e sidomos syrin e ka në Komunën e Bujanocit që ta rikthej pushtetin të cilin e humbi në 2002 shqiptarët e Bujanocit e fituan pushtetin lokal për herë të parë në historin e vet, ndërsa tani para zgjedhjeve të Serbisë, Qeveria e Serbisë arreston shqiptarë të Komunës së Bujanocit me motive gjoja se kanë bërë krime lufte, pse Serbia nuk i arrestoi pas lufte këta djem, pse nuk u arrestuan pas një viti dy apo pesë, por u arrestuan 2 ditë para zgjedhjeve lokale, parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, a është kjo një fushat e Daçiqit, ministrit të brendshëm të Serbisë, shtrohet pyetja a është Daçiqi duke fituar poena për zgjedhjet e Serbisë siç bëri arrestimet kur hyri në pushtet në 2008 i cili arrestoi 11 djem të Luginës, e tani në përfundim të mandatit të tij arrestoi tetë persona, ndër ta një kandidat për këshilltar të kuvendit komunal të Bujanocit si dhe një përkthyes shqiptar të OSCE ?!

Tani i gjithë populli është në këmbë duke protestuar e duke kërkuar lirimin e djemëve tanë “ Lirone babin tim”. Të gjithë ishin me lot në sy duke kërkuar lirimin e vëllezërve, të cilët për momentin janë të burgosur në burgjet serbe. Mllefi i padrejtësive s’ka kandar, nga ana tjetër, ku do të kërkohet mbështetje, në Prishtinë, Tiranë, Bruksel apo Washington?! Serbia po hakmerret karshi Kosovës me shqiptarët e Bujanocit, ende nuk u ngopën për të bërë incidente ndaj shqiptarëve.

Më zihet fryma kur kujtoj situatën në qytetin tim, filozofët e analistët nga të gjitha trojet shqiptare po japin “opinione” për problemin e Luginës, reagimet vijnë nga disa parti politike të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, ndërsa ndërkombëtarët heshtin derisa qytetarët arrestohen në orët e para të mëngjesit, duke i trishtuar nënat, gratë dhe fëmijët. Ky është një nga ato momentet kur ti nuk arrin ta kuptosh se si në shtëpinë tënde je mysafir, nuk ndihesh i qetë dhe nuk ndihesh i lirë, shkjau do të të mbajë gjithmonë peng. “Përkrahja” e rrejshme e qeverisë karshi faktorit ndërkombëtar radikalizon nevojën e progresit të brendshëm politiko-ekonomik.

Jo, o shkja, nuk ta lë Bujanocin edhe nëse me dhunë do më percjellësh çdo ditë, edhe nëse do arrestosh vëllezërit tanë çdo ditë, duke i rrahur deri tek porta e burgut tënd të mallkuar, jo, ti nuk mund të më dëbosh. Nuk ka forcë që të mos mposhtet, nuk ka fatkeqësi që të mos përballohet nëpërmjet përçmimit.
Sot Bujanoci mbetet i shkatërruar nga maltretimet psiqike e fizike nga Qeveria serbe. Në pritje të “mrekullisë” do të jemi këmbëngulës për ruajtjen e pragut të shtëpive tona. Nuk do t’ia falim shkjaut kurrë Bujanocin.
(Autorja është Magjistre e Shkencave Politike)

Mundesohet nga faqet ne facebook: ” Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut “ dhe ” Zgjohu Shqiptar !!! “ —> “Shperndaje”

Back to top button
LAJMET E FUNDIT