Në kulmin e krizës në Ukrainë, Putin bën lëvizjen e papritur në Ballkan me këshilltarin e tij

Ndërsa sytë janë drejtuar nga sulmi i mundshëm i Rusisë mbi Ukrainën, presidenti rus, Vladimir Putin, po dërgon këshilltarin e tij të lartë të sigurisë në Ballkan, ku Moska është përpjekur të ruajë ndikimin kryesisht përmes aleatit të saj Serbisë.

Mediat proqeveritare në Serbi, thanë të hënën se Nikolai Patrushev, sekretari i fuqishëm i Këshillit të Sigurimit të Kremlinit, do të mbërrijë në Beograd në ditët në vijim, për bisedime me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Moska nuk ka dhënë asnjë njoftim për udhëtimin e Patrushevit.

Bisedimet thuhet se do të përqendrohen në pretendimet e Moskës se “mercenarët” nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnja po dërgohen për të luftuar përkrah forcave ukrainase kundër kryengritësve pro-rusë, mes frikës së një sulmi të Rusisë mbi vendin fqinj.

Zyrtarët nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnja, i kanë hedhur poshtë këto pretendime të ngritura javën e kaluar nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

“Ka informacione se janë duke u rekrutuar mercenarë në Kosovë, Shqipëri dhe Bosnjë e Hercegovinë, për të nxjerrë jashtë ekuilibrit Rusinë dhe për t’i dërguar në vende si Donbasi”, tha ministri Lavrov sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS, duke iu referuar territorit të kontrolluar nga rebelët në lindje të Ukrainës. “Tani po i verifikojmë këto informata”, tha ai.

Presidenti serb Vuçiç, mbajti të hënën një takim të zyrtarëve të lartë të sigurisë së Serbisë, të cilët thuhet se diskutuan gjithashtu, raportet mbi “mercenarët” nga Ballkani që shkojnë në Ukrainë.

Dhjetëra luftëtarë serbë kanë luftuar në të kaluarën në Ukrainën lindore, por në anën e kryengritësve pro-rusë.

Serbia ka deklaruar zyrtarisht qasjen neutrale në përplasjen Rusi-Ukrainë, që kërcënon një luftë të madhe në Evropë. Megjithatë, media e kontrolluar nga shteti i Serbisë po mbështet drejtpërdrejt Moskën, duke transmetuar propagandën ruse pa asnjë diskutim.

Ndonëse zyrtarisht kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Serbia ka refuzuar të harmonizojë politikat e saj të jashtme me bllokun 27-vendesh dhe në vend të kësaj, ka forcuar lidhjet e saj politike, ekonomike dhe ushtarake me Rusinë dhe Kinën.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT