Lejoi ndërtimin e pallatit 7-katësh, në pranga kryeinspektorja e IKMT Sarandë/ ‘Arratiset’ biznesmeni

Romina Pulaj, kryeinspektorja e IKMT-së në Sarandë ka rrënë në prangat e policisë, nën akuzë për shpërdorim detyrë pasi ka lejuar ndërtimin e një pallati 7-katësh pa leje.
Mësohet se Pulaj është shoqëruar nga policiambrëmjen e djeshme, ndërkohë në kërkim është shpallur biznesmeni Tando Papuçi, pronari i ndërtesës që nuk kishte leje ndërtimi.
Përveç procedimit të dy personave, zyrtares Pulaj dhe biznesmenit Papuçi, prokuroria e Sarandës, ka urdhëruar sekuestrimin edhe të pallatit 7 katësh që ndodhet duke u ndërtuar në hyrje të pallatit të Sarandës.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet me sukses operacioni policor “HESHTJA”.
Vendoset sekuestro preventive për pasurinë e paluajtshme, pallat 7-katësh.
Operacion i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë.
Arrestohet kryeinspektorja e IMT Sarandë, për shpërdorim detyre.
Shpallet në kërkim pronari i objektit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, pas një pune hetimore 3-mujore, kanë bërë të mundur dokumentimin e plotë ligjor të aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e ndertimeve në qytetin e Sarandës dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “HESHTJA”, në kuadër të të cilit u kap dhe u arrestuan në flagrancë shtetasja:
– R. P., 31 vjeçe, me detyrë kryeinspektore e Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit pranë Bashkisë Sarandë.
Si dhe u shpall në kërkim shtetasi P. P., 66 vjeç, pasi ka ndërtuar në mënyrë të paligjshme një pallat 7-katesh (në ndërtim e sipër), në lagjen nr.1, në qytetin e Sarandës.
Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Ndërtimi i paligjshëm”.