BE me “grusht të hekurt”, i vendos sanksione 351 ligjvënësve rusë që votuan për njohjen e territoreve separatiste të Ukrainës

Bashkimi Evropian ka rënë dakort të sanksionojë 351 anëtarët e Dumës Shtetërorë të cilët votuan në favor t ë njohjes nga Rusia të republikave popullore të vetëshpallura të Donetskut dhe Luhanskut, në Ukrainën lindore.
Gjithashtu do të ndëshkohen dhe 27 persona dhe entitete të akuzuar për destabilizimin e Ukrainës, kryerjen e fushatave dezinformuese dhe ofrimin e mbështetjes financiare për dy rajonet separatiste.
Objektivat do t’i nënshtrohen ngrirjes së aseteve dhe ndalimit të udhëtimeve, që do të thotë se ata nuk do të lejohen të hyjnë ose të kalojnë tranzit nëpër territorin e BE-së.
“Ky është një përshkallëzim i qartë i agresionit rus kundër Ukrainës”, tha Josep Borell, kryediplomati i BE-së, gjatë një konference për shtyp në Paris.
“Ne demonstrojmë vendosmërinë tonë për t’iu përgjigjur fuqishëm zhvillimeve të fundit.”, shtoi ai.
Paketa e re e sanksioneve përfshin gjithashtu kufizime ndaj bankave dhe organeve qeveritare ruse që kufizojnë aksesin e tyre në tregjet financiare dhe kapitale të BE-së dhe bllokojnë borxhin sovran të Rusisë.
Gjithashtu do të ndërpritet edhe tregtia midis vendeve të BE-së dhe rajoneve të shkëputura “për të siguruar që përgjegjësit të ndjejnë vërtet pasojat e veprimeve të tyre të paligjshme dhe agresive”.
Sipas Komisionit Evropian BE-ja është partneri më i madh tregtar i Rusisë, duke përbërë 37.3% të tregtisë totale të vendit në mallra në vitin 2020.