Gati për luftë? Ukraina shpall gjendjen e jashtëzakonshme në të gjithë territorin e saj

Ukraina ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në të gjithë territorin e saj.

Zyrtari i lartë i sigurisë në Ukrainë, Oleksiy Danilov, tha më 23 shkurt se Ukraina ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë territorin e saj, përveç rajoneve Donetsk dhe Luhansk ku gjendja emergjente është e vendosur që prej vitit 2014.

Ai tha se gjendja e jashtëzakonshme do të zgjasë 30 ditë dhe mund të zgjatet edhe për 30 ditë të tjera.

Separatistët pro-rusë kanë marrë në kontroll pjesë të Donetskut dhe Luhanskut që nga viti 2014, teksa së fundmi Rusia i njohu ato rajone si shtete të pavarura dhe miratoi dërgimin e trupave të saj me justifikimin e “ruajtjes së paqes”.

Danilov tha gjithashtu se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy nuk kishte diskutuar zhvillimin e armëve bërthamore, diçka që presidenti i Rusisë, Vladimir Putin tha se përbën një kërcënim strategjik për Rusinë.

Ukraina po përballet me atë që Perëndimi thotë se është kërcënimi i një pushtimi të afërt në shkallë të plotë nga Rusia.

Njohja e dy rajoneve të shkëputura nga Putin, u dënua ashpër nga Perëndimi, duke u cilësuar dhe si një “akt lufte”.

Ndërkohë, Ukraina ka deklaruar se po thërret rezervistët ushtarakë të moshës 18-60 vjeç për një vit shërbimi, por duke theksuar se nuk po urdhëron një mobilizim të përgjithshëm të trupave në këtë kohë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT