Çfarë i nxori zbuluar autorët? Zbulohen detaje të reja nga tentativa e dështuar për të grabitur bankën në Tiranë

Teksa policia vijon hetimet, detaje të reja janë zbuluar nga tentativa e dështuar për të grabitur një bankë të nivelit të dytë në kryeqytet.
Grabitësit kishin hapur tunele të nëndheshme në përpjekje për të mbërritur brenda bankës, duke përdorur mjete të ndryshme. Për të fshehur zhurmën, ata kanë shfrytëzuar shembjen e një godine pranë bulevardit “Zogu I”, ku dhe ata po hapnin tunelet.
Por, prej disa ditësh në godinën e shembur nuk po kryhen më punime, çka dyshohet se nxori zbuluar punën e nëndheshme të grabitësve pasi zhurmat shqetësuan qytetarët dhe policia mbërriti në vendngjarje.
Autorët gërmuan për rreth 20 ditë, duke hapur një tunel me diametër rreth 1 metër.
Uniformat blu po presin përgjigje nga laboratori i kriminalistikës, i cili po këqyr provat materiale të gjetura brenda tunelit për të shkuar në identifikimin e autorëve të kësaj tentative grabitje.
Një tentativë e ngjashme grabitje është shënuar në zonën e ish-bllokut në vitin 2016. Pikërisht nga sendet e gjetura brenda tunelit, në atë rast policia identifikoi dhe arrestoi autorët.