“Pu pu pu, turp i madh shumë”, Bushati përplaset me Ramën, kryeministri: Sinqerisht, Fletoren Zyrtare nuk e kam parë ndonjëherë!

Kryeministri Edi Rama dhe deputeti demokrat Helidon Bushati kanë debatuar në Komisionin Hetimor për incerenatorët, pasi Bushati e konsideroi turp të madh vendosjen e emrit të Ramës në Fletoren Zyrtare për një draft-koncesion, por Rama u shpreh se nuk e ka parë asnjëherë nga afër Fletoren Zyrtare dhe nuk është ai përgjegjës për këtë.

Bushati e pyeti Ramën edhe nëse duhet të forcojë mekanizmin për marrjen e informacionit nga ministrat e tij apo do të vazhdojë me moton “çfarë më duhet mua çfarë bëj unë”, që sipas deputetit demokrat është thënë nga vetë Rama.

Fjalët e Bushatit nuk i kanë pëlqyer kryeministrit, i cili tha se këto fjalë nuk i ka thënë asnjëherë, ndaj i kërkoi Bushatit që të mos eksportojnë në Komision debatet që bëjnë në Parlament.

Bushati: Ju si lider europian, a është bukur që emri juaj të jetë në një draft kontratë koncesioni? Është risi europiane që kryeministri në Fletoren Zyrtare e vë emrin e vet. Turp më të madh, sinqerisht nuk ka. Kryeministri me draft-kontratë. Pu pu pu, turp i madh shumë

Rama: Më thatë që kam ardhur mes ekspertëve dhe nuk përgjigjem dot. Kam marrë zv.Sekretaren e Përgjithshme… I kapa të gjitha ato që the. Kaq besim kije. Nuk kam ardhur të bëj një debat ekspertësh pasi veten nuk e konsideroj ekspert dhe mendoj se ekspertiza këtu ka virus. Unë kam ardhur për rolin e kryeministrit. Unë as nuk e bëj Fletoren Zyrtare dhe as nuk e kam parë ndonjëherë. Është hera e parë që shoh një Fletore Zyrtare në distancë se nga afër nuk e kam parë asnjëherë. Ç’a të them unë tani? Si mund të vendos emrin unë atje, është turp për mu, por nuk jam unë që bëj tipografin e Fletores Zyrtare.

Bushati: Problemi është se fakti që ju keni nënshkruar mbi një draft-kontratë, tregon qartë urgjencën që keni pasur për ta bërë efektive. Pas 17 miratimeve brenda ditës, kjo tregon urgjencën. A mendoni ju pas gjithë këtyre problematikave, që duhet të forconi pak mekanizmin për marrjen e informacionit për atë që ndodh në qeveri? Sepse ka raste monumentale. A mendoni që duhet të forconi procedurat e informimit tuaj nga ministrat, apo duhet të mbani moton tuaj çfarë më duhet mu se çfarë bëj unë”.

Rama: Atë e keni shkruar ju. Unë bëra gjithë atë shkëmbim intensiv me zonjën Tabaku, se nuk është etike. Nëse ne marrim mikrofonin dhe bëjmë këtë gjë, ne s’bëjmë gjë tjetër përveçse eksportojmë atë që bëjmë në Parlament. Unë nuk thashë “çfarë më duhet mua çfarë bëj unë”. Përkundrazi, mua më duhet shumë çfarë bëj unë dhe çfarë qeveria.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT