Kremlini gati për negociata, zëdhënësi i Putin: Bisedimet do zhvillohen në Minsk

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov thotë se Rusia është e gatshme për bisedime me Ukrainën në Minsk, kryeqytetin e Bjellorusisë, raporton agjencia zyrtare ruse e lajmeve RIA Novosti.
Por ai tha se kjo do të sillte shpalljen e një “statusi neutral” të Ukrainës, i cili do të përfshinte çmilitarizimin. Rusia gjatë gjithë kohës ka dashur që Ukraina të përjashtojë mundësinë e anëtarësimit në NATO.
Kjo ftesë për takimin në Bjellorusi vjen pas ftesës së presidentit të ukrainës, Volodymyr Zelenskyy i cili kërkoi të ulen në tryezë dhe të bisedojnë që mos ketë më humbje jetësh.
Më herët ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov tha se nuk mund të mbahen bisedime derisa ushtria ukrainase të lëshojë armët.
Që Vladimir Putin ishte i gatshëm për bisedime e njoftoi edhe media kineze CCTV, të cilat shkruanin që pas bisedës me presidentin kinez, Putin tha se janë gati të bisedojnë.
SHBA dhe BE kanë vendosur sanksione “shkatërrimtare” ekonomike dje ndaj Rusisë duke vënë në shënjestër bankat e mëdha ruse që mbajnë afro 80% të të gjitha aktiveve bankare të vendit. BE ka lajmëruar se do të ngrijnë pasuritë ruse në BE dhe do të ndalojmë qasjen e bankave ruse në tregun financiar evropian, me qëllimin për të dobësuar ekonominë ruse.
Ndërkohë NATO do të mbajë sot një konferencë të jashtëzakonshme, për të diskutuar mbi masat që do të marrin., por duket se kjo nuk po e pendgon aspak Rusin që të bëj prapa, pasi vijon me sulmin dhe tashmë ka arritur të hyjë edhe në Kiev.