’80 tanke, 10 avionë e 7 helikopterë të shkatërruar dhe 2800 ushtarë të vrarë”/ Ukraina mbyll kufijtë me Rusinë dhe Bjellorusinë

Zëvendësministrja e Mbrojtjes së Ukrainës, Hanna Malyar ka bërë një raportim lidhur me pasojat e luftës kundër Rusisë deri më tani.
Sipas saj, ushtria ruse ka pësuar një dëm kolosal gjatë sulmeve të saj. Me anë të një postimi në Facebook, ajo raporton shkatërrimin e:
80 tankeve
10 avionëve luftarakë
7 helikopterëve
516 automjete të blinduara
2800 forca ushtarake ruse të vrarë
Ndërkohë Ukraina po mbyll kufijtë e saj ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, njoftoi të shtunën në mbrëmje kryeministri ukrainas Denys Shmyhal.
Në deklaratën të postuar në Telegram, Shmyhal tha se vetëm qytetarët e Ukrainës do të mund të kalojnë nga Rusia dhe Bjellorusia në Ukrainë.
Ai nuk tregoi se kur do të hynte në fuqi mbyllja e kufirit.
