Nis mbledhja urgjente e Asamblesë së OKB, ja vendimet që pritet të merren

Asambleja e Përgjithshme e OKB është mbledhur ditën e sotme në një takim urgjent për të diskutuar mbi situatën e shkaktuar nga lufta mes Rusisë dhe Ukrainës.
Mbledhja në Nju Jork ka nisur me një minutë heshtje për viktimat në Ukrainë, teksa sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres, gjatë fjalës së tij bëri thirrje për paqe. Ai theksoi se Putin duhet të ndalohet, ndërsa shtoi se duhet respektuar sovraniteti, pavarësia dhe integriteti territorial i Ukrainës, brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.
“Duhet të ndalet tani. Bombardimet me raketa dhe ajrore ruse po godasin qytetet e Ukrainës ditë e natë. Kryeqyteti, Kievi, është i rrethuar dhe nën sulm nga të gjitha anët. Kjo dhunë e përshkallëzuar, e cila po rezulton në vdekje civile, duke përfshirë fëmijë është krejtësisht e papranueshme. Mjaft është mjaft. Udhëheqësit duhet të lëvizin drejt paqes”, tha Guterre
Në përfundim të maratonës së fjalimeve, Kuvendi pritet të votojë rezolutën e SHBA-së dhe Shqipërisë kundër agresionit të Moskës ndaj Ukrainës.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së e thirri këtë sesion, pasi Rusia vuri veton ndaj një rezolutës të propozuar nga SHBA dhe Shqipëria të premten, e cila dënonte agresionin e saj kundër Ukrainës dhe kërkonte tërheqjen e menjëhershme të të gjitha trupave të saj nga Ukraina.