Reagon Inteligjenca ukrainase: Po merremi me punë, ua merr vetë mendja çfarë punësh

Inteligjenca e Mbrojtjes së Ukrainës ka njoftuar se është duke punuar për të zbuluar vendosjen e armikut, duke shpjeguar se kjo është arsyeja që po rri e “heshtur”.
Pothuajse çdo institucion shtetëror në Ukrainë është shumë aktiv në rrjetet social, ndërsa Inteligjenca e vendit “u bë e gjallë” pas tri ditësh, me një postim për Rusinë.
“Të dashur ukrainas, na falni për heshtjen e përkohshme. Shumë punë po bëhet, nëse e keni parasysh se për çfarë e kemi fjalën…,”-thuhet në postimin e tyre.
“Ne po punojmë 24/7, për të gjetur vendet e trupave dhe mjeteve ushtarake të pushtuesit, për t’i shkatërruar pa mëdyshje. Armiku do të shkatërrohet. Rroftë Ukraina. Vdekje armiqve”, thuhet më tej në postim.
Autoritetet e mbrojtjes së Ukrainës njoftojnë vazhdimisht dhe mobilizojnë qytetarët përmes faqeve të tyre zyrtare në rrjetet sociale. Edhe vetë presidenti ukrainas Volodymor Zelensky përdor rrjetet sociale për të komunikuar çdo zhvillim.
Prej disa orësh tashmë, delegacioni i Ukrainës është takuar me atë të Rusisë për negociata. Takimi po mbahet në një kohë kur Ukraina ndodhet në ditën e pestë të luftimeve pas hyrjes së forcave ruse në vend.