Lufta Rusi-Ukrainë/ Palët përfundojnë bisedimet, Kievi “bombardohet” sërish nga shpërthimet

Pak minuta më parë kanë përfunduar bisedimet mes Rusisë dhe Ukrainës dhe të dyja palët janë kthyer në kryeqytetet e tyre për konsultime.
Lajmi u bë i ditur nga Mikhaylo Podolyak, këshilltar i Presidentit të Ukrainës, raporton CNN, i cili u tha gazetarëve se u diskutua për mbajtjen e një raundi të dytë bisedimesh.
“Delegacionet ukrainase dhe ruse mbajtën raundin e parë të negociatave. Qëllimi i tyre kryesor ishte të diskutonin armëpushimin dhe përfundimin e veprimeve luftarake në territorin e Ukrainës. Palët kanë përcaktuar temat ku janë përcaktuar vendime të caktuara. Në mënyrë që këto vendime të zbatohet si udhërrëfyes, palët po kthehen për konsultime në kryeqytetet e tyre. Palët diskutuan për mbajtjen e një raundi tjetër negociatash ku mund të zhvillohen këto vendime”, tha ai.
Por pas përfundimit të bisedimeve mes palëve, në Kiev u raportuan dy shpërthime të mëdha, duke shkaktuar panik dhe frikë për viktima mes civilëve, të cilët nuk janë të paktë. Mediat raportojnë për dy shpërthime të fuqishme që u pasuan nga zhurmat e sirenave, por ende nuk ka detaje për ngjarjen.