Forcat ruse bombardojnë “Sheshin e Lirisë” dhe teatrin e operas në Kharkiv

Raketat ruse kanë goditur zemrën e qytetit të dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv. Zyrtarët thanë se ky ishte një sulm vdekjeprurës dhe “mizor”.
Sipas raportimeve forcat ruse kanë kryer sulme në qytet sot, duke shkatërruar sallë operash, sallë koncertesh, si dhe zyra qeveritare në “Sheshin e Lirisë”, në qendër të qytetit verilindor Kharkiv. Ministria e Brendshme e Ukrainës ka bërë me dije se Ukraina ende kontrollon ndërtesën e administratës së qytetit.
“Ky është çmimi i lirisë,” tha Presidenti Volodymyr Zelensky. “Ky është terror kundër Ukrainës. Nuk ka pasur objektiva ushtarakë në shesh, as lagje të banuara të Kharkivit që janë nën gjuajtje me raketa artilerie,” shtoi ai.
Më herët pesë persona kanë humbur jetën si pasojë e një sulmi me raketa që ndodhi pasditen e sotme në Kiev. Shënjestër e raketave ruse ishte një kullë televizive, ndërkohë që raportohet edhe për 5 persona të tjerë të plagosur.